Karen Donfried, zyrtarja më e lartë e Departamentit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, deklaroi se SHBA mbështesin Serbinë në harmonizimin e mëtejshëm me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në dhe se Serbia duhet të vendosë vetë se si do të reagojë kur bëhet fjalë për sanksionet kundër Rusisë.

Në një intervistë për Politika-n e Beogradit, Donfried vlerësoi se ishte shumë e rëndësishme për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian që ajo votoi për pezullimin e anëtarësimit të Rusisë në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

“Ne mbështesim Serbinë në harmonizimin e mëtejshëm me Shtetet e Bashkuara dhe BE. Është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të mbështesin Ukrainën në luftë, por gjithashtu t’i bëjnë të ditur Rusisë se ajo duhet të paguajë çmimin për atë që bën. Ky është qëndrimi ynë dhe Serbia duhet të vendosë vetë se si do të veprojë për sa i përket sanksioneve”, tha ajo, duke theksuar se çështja e sanksioneve është “padyshim” në tryezë “para Serbisë.

Donfrid theksoi se vendet e BE-së janë përgjegjëse për numrin më të madh të investimeve të reja dhe rritjen ekonomike në Serbi. Ajo tha se interesi i politikës së jashtme të Serbisë është anëtarësimi në BE dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara e mbështesin procesin.

“I takon Serbisë të vendosë se ku qëndrojnë interesat e saj të politikës së jashtme dhe të ndjekë këtë qëllim,” tha ajo.

Duke folur për ndikimin e Rusisë dhe Kinës, ajo tha se Serbia duhet të vendosë se cili do të jetë roli i saj i jashtëm dhe i sigurisë.

“Serbia duhet të mendojë se kush e mbështet dhe kush nuk do të donte të ketë sukses,” tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit.

Donfried gjithashtu theksoi se është shumë e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të bashkëpunojnë dhe të zgjidhin marrëdhëniet.

Sipas saj, Shtetet e Bashkuara mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të rezultojë në normalizimin e marrëdhënieve me fokus njohjen reciproke.