Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), rreth 10.600 persona janë zhvendosur pas sulmeve të fundit në dy fshatra të rajonit Tillaberi të Nigerit.

Nga sulmi i të shtunës humbën jetën 105 persona, përkatësisht 73 në Tchombangou dhe 32 në fshatrat e rajonit Zaroumadareye. Sipas OKB-së, qindra të mbijetuar u larguan nga vendi i ngjarjes në këmbë.

OCHA njoftoi se qeveria e Nigerit siguroi mbështetjen fillestare për njerëzit e prekur, duke përfshirë ushqim, furnizime mjekësore në objektet shëndetësore dhe ndihmë financiare për familjet e civilëve të vdekur.

Sipas zyrës së UNICEF-it në Niger, midis viktimave janë 17 fëmijë, dhjetë djem dhe shtatë vajza të moshës 3 deri në 15 vjeç.

OCHA në Niger njoftoi se aktualisht 26 persona të plagosur janë duke marrë trajtim mjekësor.

Pas sulmeve të 2 janarit në dy fshatra në rajonin Tillaberi, shumica e njerëzve të zhvendosur brenda vendit gjetën strehë në fshatin Mangaize në familjet e prekura.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dënoi fuqishëm sulmet nga personat e armatosur të paidentifikuar.

Sipas OKB-së, muajin e kaluar, të paktën 28 persona u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën në një sulm në rajonin juglindor Diffa, më vonë i pretenduar nga grupit terrorist Boko Haram.

Rajoni Tillaberi, ku ndodhen fshatrat e sulmuar së fundmi, që nga viti 2017 shpesh ka qenë në shënjestër të grupeve terroriste me bazë në Mali, ndërkohë në zonë është shpallur edhe gjendje e jashtëzakonshme.

Nigeri, Burkina Faso dhe Mali në Sahel janë në epiqendrën e një prej krizave të zhvendosjes dhe mbrojtjes me rritjen më të shpejtë në botë.

Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, rajoni tashmë është duke strehuar rreth 815 mijë refugjatë dhe pothuajse dy milionë të zhvendosur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re