Frika nga rrëmbimet ka larguar mbi 12 milionë fëmijë nga shkollat në Nigeri.

Ibrahim Gambari, shefi i stafit të presidentit të Nigerisë, Muhammadu Buhari në një fjalim në Konferencën e katërt Ndërkombëtare të Deklaratës për Shkollat e Sigurta tha se sulmet në rritje kundër shkollave shtetërore kryesisht në rajonin verior të vendit mund të kenë efekte shkatërruese mbi sistemin arsimor.

“Në vend janë mbi 12 milionë fëmijë që kanë frikë të shkojnë në shkollë për shkak të frikës së rrëmbimit”, theksoi Gambari i cili shtoi se “Më duhet t’u them se është e vështirë të përballesh me këto efekte dhe probleme sigurie, veçanërisht për vajzat”.

Ai tha se qeveria do të vazhdojë të bëjë më të mundurën për të arritur suksesin e mjaftueshëm në sektorin e arsimit.

– Shumica e nxënësve të rrëmbyer janë liruar në këmbim të pagesës

Ministri i shtetit përgjegjës për arsimin, Chukwuemeka Nwajiuba vuri në dukje se sulmet në shkollat e shtetit janë rritur.

“Shumica e nxënësve të rrëmbyer janë liruar në këmbim të pagesës”, tha Nwajiuba duke shtuar se në shumë raste të rrëmbyerit kanë pësuar trauma.

Në muajt e fundit, nxënës të shumë shkollave në rajonet Benue, Kaduna, Plateau, Katsina dhe Zamfara janë rrëmbyer.

Për shkak të sulmeve, shumë shkolla janë detyruar të ndërpresin procesin arsimor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re