Të paktën 110 persona e kanë humbur jetën ndërsa shumë të tjerë janë plagosur në një sulm ndaj bujqve nga organizata terroriste Boko Haram në shtetin Borno, në verilindje të Nigerisë, njoftojnë Kombet e Bashkuara (OKB).

Koordinatori i OKB-së për Ndihma Humanitare në Nigeri, Edward Kallon në deklaratën për gazetarët tha se dje terroristët kanë kryer sulm ndaj bujqve që punonin në fushën e orizit në fshatin Garin Kwashebe.

Sipas Kallon në sulm kanë humbur jetën 110 persona ndërsa janë plagosur shumë të tjerë. “Ky sulm është i tmerrshëm. Ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e civilëve që humbën jetën në këtë sulm të pamëshirshëm. Uroj shërim të menjëhershëm për të plagosurit në sulm”, tha Kallon.

Ai gjithashtu informoi se shumë gra janë rrëmbyer, duke i bërë thirrje qeverisë që të veprojë për të gjetur gratë e rrëmbyera.

Ndërkohë, presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhari duke dënuar sulmin tha se “I gjithë vendi u lëndua nga këto vrasje të pakuptimta”.

Nga ana tjetër mediat e vendit kishin pretenduar se nga sulmi kanë humbur jetën 44 persona.

Më shumë se 20 mijë njerëz kanë vdekur si pasojë e dhunës masive të kryer që nga viti 2009 nga organizata terroriste Boko Haram, e cila ka qenë e pranishme në Nigeri që nga fillimi i viteve 2000.

Organizata ka kryer gjithashtu sulme në vendet fqinje, Kamerun, Çad dhe Niger, që nga viti 2015. Të paktën 2 mijë njerëz e kanë humbur jetën në sulmet e organizatës në pellgun e liqenit Çad ndërsa afër 3 milionë njerëz janë zhvendosur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re