Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, teksa po fliste në lidhje me agresionin rus, iu përgjigj nga foltorja e parlamentit të gjithë atyre që e kanë etiketuar kryeministrin Rama dhe maxhorancën socialiste si pro-serbe për shkak të përfshirjes në nismën e “Open Balkan”.

Peleshi theksoi se Rama është i pari kryeministër që “i kërkoi hesap Serbisë në mes të Beogradit” për njohjen e Kosovës.

Gjithashtu ai ftoi deputetët e opozitës që të mos përfitojnë kredo politike nga rritja e çmimeve, pasi ato nuk i cakton Partia Socialiste por tregu ndërkombëtar.

“Ta përdorim këtë moment për mirë. Sot është dita të flsim për Ukrainën. Ndaj ne nuk jemi përgatitur si kabinet, si qeveri, ndaj nuk dëgjoni ta përziejmë me probleme të tjera, ndaj nuk e përmendim Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën dhe Kosovën  Jo se kemi kompleks, se kryeministri shqiptar është i pari kryeministër që në mes të Beogradit i ka kërkuar hesap Serbisë për njohjen e Kosovës.

Është e turpshme të tregojmë me gisht njëri- tjetrin si pro serb, ne nuk themi se ju keni axhenda anti-perëndimore, ju jeni perëndimor, ju jeni shqiptarë dhe ne jemi të gjithë bashkë në orientimin Perëndimor.

Kjo është arsyeja pse sot duhet të bashkohemi dhe të lëmë mënjanë axhendat politike dhe të mos përfitojmë mbi rritjen e çmimeve, se nuk është faji i Partisë Socialiste është faji i një situate botërore, mos të merremi me çmimin e naftës, të mos marrim vota nga pakënaqësia legjitime e popullit në një situatë aspak të favorshme jo për Shqipërinë por dhe për vende më të zhvilluara se ne”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re