Nikoll Lesi e konsideron fitore të madhe, faktin që Gjykata Kushtetuese nuk e shkarkoi Ilir Metën si president.

“Një vendim surprizë ka dalë mbrëmë në mesnatë nga gjykata kushtetuese e Shqipërisë. Themi surprizë, pasi tentakulat e pushtetit të PS-së janë ngulitur kudo nëpër trupin e vendit. Eshtë thënë dhe shkruar disa herë nga analistë dhe media serioze se Presidenti Meta nuk kishte asnjë arësye për tu shkarkuar, siç veproi parlamenti i vjetër, natyrisht nën pushtetin e Edi Ramës.

Por duke qenë se presioni politik, bile edhe shantazhet ndaj gjykatës kushtetuese prej kryeministrit dhe mazhorancës ishin të jashtëzakonshme, kishte mundësi që shumica dërmuese e gjyqtarëve të kësaj gjykate supëriore të vendosnin nën urdhërat e mazhorancës.

Kryeministri kishte dërguar direkt shefin e grupit të deputetëve të PS-së, Taulant Ballën në sallën e gjykimit si shenjë e hapur presioni ndaj tyre.

Ndërkohë presidenti dhe Presidenca u mbrojt stoikisht ndaj këtyre sulmeve. Ata luftuan si dikur ndaj turqve që donin të hynin brenda murëve të Kalasë së Krujës, pra edhe me kova me zift hodhën mbi klikën.

Dhe fituan!

Vendimi është surprizë sepse ka dalë 6 me 1 në favor të Presidentit Meta, ndërkohë që shumica janë votuar nga PS-ja me anë të mekanizmave që ka nën kontroll kryeministri.

Pa e zgjatur mund të themi se më në fund kemi një gjykatë të pavarur nga politika dhe jo se votoi në favor të Ilir Metës. Ata votuan dhe nderuan vetveten duke treguar popullit se njohin vetëm Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe jo pushtetin apo politikën.

Ata, të 6 gjyqtarë, u lartësuan në sytë e publikut.

Nëse shprehemi shkurt mund të thuhet se ka akoma shpresë për Shqipërinë se ka njerëz me integritet dhe nuk mund të blejë gjithçka PUSHTETI”, shkruan ai në gazetën e vet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re