Nikoll Lesi u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit” se ka informacion që Sali Berisha do të marrë Partinë Demokratike dhe do të bashkohet me partinë e presidentit Ilir Meta, LSI-në.

“Ndoshta gaboj, por kjo është një lloj e aleancës së Bashës dhe Ramës, për të dalë te dyshja Berisha-Meta.

Ka informacion që Berisha e merr PD dhe Meta është një me Berishën, dhe do të jenë në një fron kundër Ramës”, u shpreh Lesi.

Lesi rrëfeu edhe një bisedë, me një deputet pro Lulzim Bashës, që i deklaroi se do t’i bashkohet Berishës, nëse ky i fundit ngre njerëzit në protesta.

“Që është fakt, që baza demokrate është me doktorin, kjo kot të diskutojmë. Problemi është do të kemi një Berishë si në  2005, apo jo?  Është pak tragjike dhe komike ti rikthehemi Berishës si shpresë. Por jemi të detyruar të pranojmë faktin. Më mirë ujë i trazuar sesa ujë i ndenjur.

Bashën, e njoh dhe e respektoj për kulturën europiane, por për në Shqipëri, duhet lideri i fortë, përbashkues, të thotë hajdeni pas meje përballë regjimit. Jo populli përpara dhe lideri pas.

Berisha është faktor dhe PD-në e ka marrë, por dilema ime është, do të jetë një PD e madhe, një front, apo merr PD selinë dhe mund Bashën, por kaq.

Një vend pa opozitë të fortë, është vend i mbaruar.

Para tre ditësh, fola me një deputet pro Bashës. I thashë, nëse bëhet protestë e madhe dhe populli shkon me Berishën, ju do të rrini në seli apo në protestë? Më tha do të shkoj tek protesta, nuk pyes Bashën. Nëse Berisha përbashkon, bën një front të hapur”, tha ndër të tjera Lesi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re