Nikollë Lesi ka publikuar një editorial në gazetën e tij ku thotë se kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi i ka thënë Lulzim Bashës që është i pabesueshëm.

Lesi e quan seancën e djeshme parlamentare si fitore për kryeministrin Edi Rama dhe disfatë për Lulzim Bashën.

Shkrimi i plotë

Parlamenti i djeshëm tregoi, përveç përçarjes finale mes Lulzim Bashës e Sali Berishës (e cila do përfundoj me “vdekjen” politike të njerit prej tyre) edhe ndarjen mes PD dhe LSI.

Në momentin kur po votohej për Lindita Nikollin si kryetare Kuvendi, Lulzim Basha dhe ata që e rrethonin dolën në mënyrë demonstrative duke grisur fletët e votimit, një veprim aspak i kulturuar dhe që prodhoi antipati në publik. Fleta e votimit është e artë dhe simbolizon vullnetin e përfaqësuesit të popullit që të votojë pro ose kundër apo edhe të abstenojë, por deputeti kurrë nuk mund ta grisë fletën e votimit.

Te ajo fletë votimi mbartet vullneti politik i atij që voton dhe nuk mundet ta shkelmojë, por duhet të votojë.

E provoi njëherë Basha duke braktisur mandatin dhe votën e deleguar nga elektorati i PD, por dështoi.

Nuk mund të vazhdohet më me këtë rrugë, sikur po bën namin duke grisur fletën e votimit.

Dje ndërkohë LSI me Monika Kryemadhin nuk zbatuan porosinë apo ofertën e Lulzim Bashës që ta grisnin fletën e votimit, sikurse vepruan paturpërsisht deputetët e PD-së. Monika Kryemadhi mësohet se i ka kthyer një përgjigje Lulzim Bashës, që e ka bërë atë të dridhet dhe të ngatërrojë udhën në parlament.

LSI votoi dhe siç deklaruan e doli numërimi më pas, votuan kundër. Por nuk e grisën votën, nuk e hodhën në mënyrë bastarde, siç bënë gabim deputetët e PD-së.

Veprimi i grupit parlamentar demokrat ishte një veprim i detyruar nga Basha gjoja për të treguar se nuk kemi asnjë pazar me Edi Ramën. Për dreq doli ajo që donte Edi Rama, i shërbyen kryeministrit me atë  veprim idiot, sepse shefi i mazhorancës e përdori mjeshtrisht. Edi Rama doli dhe mblodhi një për një fletët e grisura të votimit, duke ironizuar por edhe duke treguar se shfrytëzon çdo vendim absurd të PD-së.

Pa dashje ajo që bënë deputetët e PD-së shkoi në favor të Edi Ramës, që siç thamë doli si një aktor duke mbledhur përtokë mbeturinat e lëna nga Basha dhe deputetët përreth tij.

Ndërkohë veprimi i Monika Kryemadhit ishte akt politik serioz.

Me sa duket LSI e di mirë se pas kësaj që tha Sali Berisha se Lulzim Basha punon për Edi Ramën, në disa qarqe kanë qenë porositë e kreut të PD-së që votat e LSI të dilnin të pavlefshme.

Nga kjo masakër e aleatit demokrat (në bashkëpunim me PS), Monika Kryemadhi ka humbur nga një deputet të sigurtë në Durrës, Berat, Gjirokastër, Elbasan dhe Tiranë.

Pra pesë deputetë i janë hequr LSI vetëm nga pabesia e Bashës, i cili tregoi se vret edhe “babain politik”, siç bëri me Sali Berishën.

LSI nuk beson më te Basha dhe te PD-ja që shkon pas tij.

Ndaj veprim i LSI dje në Kuvend duke marrë pjesë në procesin e votimit për kryeparlamentaren tregon se forca politike po rimerr veten dhe nëse do jetë jashtë hijes së Bashës do të fitojë kuota publike.

REMOTE_ADDR:[]

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re