Nikoll Lesi, pas sulmeve ndaj Erion Veliajt dhe Fatmir Xhafajt, dhe lavdeve për Pandeli Majkon, që para nja dy vitesh e konsideronin si kryeministri hije i një qeverie të përbashkët, nëse Rama largohej, ka ndryshuar qendrim ndaj të treve.

“Në qarkun e Tiranës ishte një betejë për jetë a vdekje. Flitej për 36 mandate deputeti. Të gjithë u përqëndruan në kryeqytet; politika, mafia, eurot, emrat VIP dhe programet.

Në këtë qark votohej edhe për PS, por brenda PS-së votohej nëse Erion Veliaj kishte forcë, kishte mbështetje dhe do të ishte si kandidat kryesor për pasardhës i Edi Ramës në krye të PS-së apo nëse do të humbte në zgjedhje Erioni priste biletën për në arrati, aq me tepër që rivali i tij i përjetshëm Sajmir Tahiri punonte për një parti të tjetër në këto zgjedhje për të dëmtuar kryebashkiakun.

Por në Tiranë dinakëria rilindase për ta spostuar Fatmir Xhafaj nga rifutja në parlament solli që gjithë fuqia personale, me kreditet e tij po personale te Fatmir Xhafajt shtuan shumë vota për PS-në, e natyrisht për ish-ministrin e brendshëm, i cili ishte dhe mbeti socialist korrekt.

Kjo solli shumë vota shtesë për PS-në. Ndërsa ish-kryeministri Pandeli Majko nuk kishte më karizëm dhe fuqi elektorale, sepse humbi nga loja dyfishe në PS; edhe me Ramën edhe gjoja kundër Ramës.

Dhe mori përgjigjen nga elektorati. Tani siç ka thënë vetë Majko se “kam dy diploma” mund të gjejë punë në ndonjë ndërmarrje private.

Ashtu sikurse thamë në fillim se në Tiranë ishin grumbulluar politika, mafia, eurot dhe emrat VIP e me sa duket të gjitha e dhanë nga një dorë në fitoren e PS-së në qarkun e Tiranës.

Por dy janë kryesorët: Erion Veliaj dhe Fatmir Xhafaj.

Në fund kur ndeshja mbyllet dhe arbitri (KQZ) thotë rezultatin, ai mbetet; të tjerat janë zhurmë. Sikurse edhe në futboll ku akoma prej dekadash zien debati se “e bëri golin me dorë Maradona në filanet e botërorit apo ishte “dora e Zotit”, edhe në këtë rast GOLI hyri.

Dhe KQZ njeh golin”, shkruan ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re