Nikoll Lesi shkruan se kryeministri Edi Rama po i bën shqiptarët të ndjehen njerëz.

Duke ju referuar finales së Kupës së Republikës mes Vllazënisë dhe Skënderbeut, Lesi shkruan se qeveria ka punuar shumë që të arrihej një rezultat kaq i mirë.

Në një shkrim me pseudonimin Spiten Prulli, Lesi shkruan se është koha për të shikuar nga e ardhmja.

Shkrimi i plotë: 

Dje kryeministri Rama dha një sinjal publik se pandemia është vënë nën kontroll dhe se hapja e vendit po bëhet de facto për një publik më të gjerë. Bile ai shkoi edhe me tej kur dha dritën jeshile që finalja e Kupës së Republikës mes Vllaznisë dhe Skënderbeut të zhvillohej me tifozë.

Kjo ishte hera e parë pas një viti e kusur që njerëzit ndjeheshin njerëz, pa frikën e virusit që na futi nëpër “bunkierë”. Natyrisht që është dashur shumë punë e durim për të ardhur të dita e djeshme kur tifozët hynë në stadium, natyrisht me distanca të lejuara nga ministria e shendetsisë, por ama ishin si dikur e në një kohë, si para dy vitesh.

Kryeministri e lejoi, me sa duket, jo vetëm për të bërë njerëzoren me tifozët e shumtë, por edhe për të dërguar mesazhe paqeje të tifozët shkodranë.

Deputetja e zgjedhur nga radhët e Partisë Socialiste në Qarkun e Shkodrës, Edona Bilali kishte insistuar dhe falenderoi kryeministrin dhe ministren e shendetsisë për gjestin dashamirës ndaj tifozëve, çka duhej bërë, në këtë rast edhe nga deputetët e PD dhe LSI të qarkut Shkodër.

Ndeshja kishte edhe tifozë të Skëndërbeut dhe shikues të lodhur nga pandemia e që donin pak relaks, porse kryesisht ishte sinjal për shkodranët.

Dhe si shkodranë që kanë bërë historinë në futboll, e fituan Kupën e Shqipërisë!

Lejimi i tifozëve në stadium tregonte se edhe turizmi do jetë më lirshëm dhe pa ndalesa e kontrolle të skajshme, duke i dhënë lirshmeri biznesit dhe ringritjes.

Ndonëse sherri politik zien, jeta prapë vazhdon. Njerëzit duan jetë më të mirë dhe të sigurtë e ndaj qeveria duhet të jetë korrekte me premtimet e saj para fushatës.

Kjo verë duhet të jetë sinjal se mund ta harrojmë pandeminë dhe të shikojmë drejt së mirës.

Kohë për të reflektuar të gjithë, kohë për të shikuar nga e ardhmja!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re