Kuvendi i Shqipërisë i është përgjigjur një deklarate të PD së Rithemelimit në lidhje me ndarjen e buxhetit të shtetit, dhe shpenzimeve të këtij institucioni nga ana e Kryeparlamentares Lindita Nikolla.

Në reagimin zyrtar thuhet se planifikimi, detajimi dhe përdorimi i burimeve financiare, sipas programeve buxhetore, vendoset dhe miratohet nga Byroja e Kuvendit, organ në të cilin bëjnë pjesë edhe deputetët e opozitës.

Ndër të tjera, Kuvendi deklaron se “në ato që Deklarata e Foltores i quan shpenzime luksi, zëri kryesor, 829.700.000 lekë, janë pagat e deputetëve dhe të administratës”.

Kujtojmë se zëdhënësja e Partisë Demokratike të Rithemelimit, Genta Vangjeli, ka akuzuar kryeparlamentaren, Lindita Nikolla se ka shpenzuar 12 milion euro në 10 muaj.

Në një deklaratë për mediat u shpreh se Lindita Nikolla ka firmosur për shpenzime luksi, arredime zyrash dhe udhëtime.

“Fondet janë publike jo personale, dhe se ajo është aty për t`i shërbyer shqiptarëve të cilët mundësojnë edhe pagën e saj”, shprehet Vangjeli.

Reagimi i Kuvendit të Shqipërisë

Në lidhje me deklaratën e sotme të Foltores dhe në emër të transparencës para qytetarëve, publikut dhe medias, Kuvendi i Shqipërisë sqaron si më poshtë:

Planifikimi, detajimi dhe përdorimi i burimeve financiare të Kuvendit të Shqipërisë, sipas programeve buxhetore, vendoset dhe miratohet nga Byroja e Kuvendit, organ në të cilin bëjnë pjesë edhe deputetët e opozitës. Pas miratimit në Byro, bëhet raportim 4-mujor i realizimit të treguesve të buxhetit, të cilat janë publike.

Mënyra e përdorimit të burimeve financiare respekton rigorozisht rregullat dhe procedurat për shpenzimin e fondeve të buxhetit të shtetit dhe publikohen në faqen e Kuvendit. Fondet e Kuvendit të Shqipërisë janë pjesë e buxhetit të shtetit dhe përdorimi i tyre rregullohet nëpërmjet prokurimit publik.

Deklarata e sotme e Foltores është e mbushur me të pavërteta e sajime, të cilat nuk i përgjigjen realitetit. Shpenzimet për të cilat bëhet fjalë në deklaratën e Foltores janë shpenzime për funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe aspak për shpenzime luksi.

Në ato që Deklarata e Foltores i quan shpenzime luksi, zëri kryesor, 829.700.000 lekë, janë pagat e deputetëve dhe të administratës. Mos vallë nuk duhet të paguhen deputetët dhe administrata?

Në ato që Deklarata e Foltores i quan shpenzime luksi, bëjnë pjesë shpenzimet operative, 479.556.000 lekë, të domosdoshme për mbështetjen e veprimtarive parlamentare dhe kryerjen e funksioneve të Kuvendit. Mos vallë duhet të ndërpritet veprimtaria e Kuvendit të Shqipërisë?

Në ato që Deklarata e Foltores i quan shpenzime luksi, bëjnë pjesë shpenzimet për udhëtime jashtë vendit të delegacioneve të Kuvendit, 58.391.411 lekë, në kuadër të detyrimeve për të marrë pjesë dhe kontribuar në veprimtaritë e forumeve ndërkombëtare ku jemi anëtarë. Asnjë deputet i Kuvendit, në maxhorancë a opozitë, nuk është penguar të marrë pjesë në veprimtari ndërkombëtare. Të mos zhvillojmë diplomaci parlamentare për të mbrojtur interesat kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës, për të cilën Kuvendi gjatë kësaj legjislature është investuar në mënyrë të shtuar?

Për transparencë , informojmë publikun se buxheti i Kuvendit për vitin 2023 është: 1.513.843.540 leke nga të cilat;

Për pagat: 829.700.000 lekë.

Sigurimet shoqërore: 112.384.000 lekë.

Shpenzimet operative: 479.556.000 lekë.

Kuota parlamentare: 15.090.000 lekë.

Fondi i veçantë: 2.113.540 lekë.

Shpenzime kapitale: 75.000.000 lekë.

Realizimi si 10-mujor: 1.085.948.857 lekë.

Së fundi, nënvizojmë se burimet financiare të Kuvendit të Shqipërisë janë në dispozicion të të gjithë deputetëve, pa dallim përkatësie partiake.

Lexoni edhe:“Lindita Nikolla ka shpenzuar 12 mln euro në 10 muaj”- Zëdhënësja e PD-së së Berishës nxjerr listën: Nga shpenzime luksit, tek arredime zyrash, ja për çfarë i ka shpenzuar paratë

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re