Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar ndaj vendimit të kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, për të rrethuar sallën e seancave plenare me forcat speciale të Gardës së Republikës. Bardhi e konsideron këtë vendim si shpallje zyrtare të shtetit autokrat të kryeministrit Rama, ndërsa përmes një fotoje ku dallohen punonjësit e Gardës në Kuvend, shton se po bëhen “prova” për të penguar demokratët gjatë aksionit të tyre opozitar.

 

“Sot jemi njohur me urdhrin e paligjshëm të Lindita Nikollës për të rrethuar të hënën sallën e seancave plenare me forcat speciale të Gardës së Republikës, duke shpallur kështu zyrtarisht shtetin personal autokrat të Edi Ramës. Siç shihet edhe në foton bashkëlidhur Garda e Republikës është urdhëruar të bëjë “provat” gjatë ditës së sotme sesi do të rrethojnë deputetët e opozitës gjatë seancës plenare të së hënës”, shkruan ai.

 

Bardhi shton se e dënon këtë vendim dhe nënvizon se ky është një akt i paprecedentë që e shndërron sallën e kuvendit në sallën e gardistëve qeveritarë dhe jo të qytetarëve.

 

“Duke dënuar me forcë këtë degradim të regjimit të Edi Ramës, duam të sigurojmë se nuk ka gardist e polic që mund të pengojë dhe intimidojë opozitën në misionin për të kthyer parlamentarizmin dhe për të mbrojtur të drejtat kushtetutese të opozitës. Një Parlament, ku deputetët rrethohen nga forcat e sigurisë gjatë vendimmarrjes së tyre, nuk mund të jetë kurrë Parlamenti i një vendi demokratik, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE. Është akt i paprecedent në 32 vite demokraci, shndërrimi i sallës së Kuvendit nga salla e përfaqësuesve të qytetarëve, në sallën e gardistëve qeveritar. Ky Parlament është turpi i Shqipërisë, njëlloj si qeverisja e korruptuar e Edi Ramës”, shton ai.

 

Ky vendim vjen pas aksionit opozitar në Kuvend, ku përgjatë disa seancave plenare kanë bllokuar foltoren dhe ndezur tymuese.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re