I vendosur nën presionin e opozitës greke, Ministri i jashtëm Nikos Kotzias ka mohuar faktin se çështja çame ishte pjesë e diskutimeve në negociatat me palën shqiptare.
 
“Nuk ekziston çështja  çame dhe sigurisht nuk përbën objekt diskutimi ndërmjet të dy palëve”, shkruan Kotzias në një letër përgjigje për shefin e departamentit të jashtëm të Demokracisë së Re, deputetin Jorgos Kumutsakos.
 
Sa u përket negociatave, Kotzias bën me dije se ato “u fokusuan në çështjet dypalëshe për të cilat kishte mosmarrëveshje apo kishin mbetur pezull për 70 vjet.
 
Ministri i Jashtëm grek vlerëson se në negociata u shënua progres esencial në drejtim të gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme për këto çështje në dobi reciproke të të dy popujve dhe sipas rregullave dhe vlerave europiane.
 
Shefi i diplomacisë greke thekson se ka një “përmirësim spektakolar të klimës në marrëdhëniet greko-shqiptare”, që sipas tij “është rezultat i dialogut të sinqertë që po zhvillojnë të dy palët” dhe “vërtetohet nga veprat konkrete”.
 
Kotzias këtu i referohet “ndryshimit të qëndrimit të qeverisë shqiptare lidhur me varrezat ushtarake për grekët e rënë gjatë luftës”, zhvillim që Ministri i Jashtëm grek gjen rastin ta përshëndesë edhe njëherë, duke nënvizuar që përgjigjja pozitive e Tiranës zyrtare dëshmon se “dialogu dhe bashkëpunimi mund të shpien në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re