Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, bëri të ditur nisjen e programit të Akademisë Diplomatike Kombëtare.

 

Ky program synon jo vetëm edukimin e përgjithshëm të diplomatëve të së nesërmes, por edhe rritjen e njohurive të diplomatëve për historinë e politikës së jashtme të Shqipërisë.

 

Përtej ligjëratave të pasura për historinë e diplomacisë shqiptare që prej orëve të para të shtetit shqiptar, aty, sikurse bën me dije Cakaj, do të ketë edhe shtjellime të hollësishme për politikën e sotme të Shqipërisë në rajon, procesin e integrimit evropian e politikat e Shqipërisë në organizata shumëpalëshe nga OSBE, NATO e deri tek Kombet e Bashkuara.

 

Programi paraqet një mundësi të vlefshme për të gjithë të rinjtë që mendojnë t’i bashkohen rrugës së diplomacisë, politikës së jashtme e marrëdhënieve ndërkombëtare.

 

“Në frymën e përpjekjeve tona për t’i afruar e bashkuar shqiptarët sa më shumë, ky program do të jetë i hapur edhe për shqiptarët që jetojnë në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e Serbi. Fillimisht do të veprojmë online, e më pas do të takohemi bashkërisht në Tiranë, për të mbyllur fazën e parë të programit, në Nëntorin e festës kombëtare të flamurit kuq e zi.”- përfundoi Cakaj reagimin e tij

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re