Nga kjo e premte nis zyrtarisht fluturimet kompania ajrore Air Albania. Udhëtimi i parë kryhet në mbrëmje drejt Stambollit. Ai mban kodin ZB 1003 dhe është njoftuar në faqen zyrtare të aeroportit Nënë Tereza.

 

Sipas të dhënave ky nuk është një fluturim shtesë nga Air Albania, por ai zëvendëson itinerarin e Turkish Airline, duke qenë se ajo është aksionere tek kompania e shqiptare e fluturimeve.

 

E thënë ndryshe, fluturimit drejt Stambollit i ka ndryshuar vetëm emri, pasi po ti referohemi edhe çmimeve ato janë njësoj, pa ndonjë ndryshim nga tarifat që aplikon online kompania turke.

 

Aktualisht askush nuk mund të kryeje prentoime apo të bëjë një pagesë bilete drejt Stambollit nën emrin Air Albania.

 

Burime nga drejtoria e aviacioni civil thonë se plani i fluturimeve është i njëjtë, çka do të thotë se do të ketë dy fluturime në ditë drejt Stambollit, një në mëngjes dhe një në mbrëmje. Se si do të vijojë në ditët pasardhëse, kjo mbetet për tu parë, kur të behët efektive faqja online e kompanisë për tu dhënë mundësi qytetarëve të presin biletat.

 

Ndërkohë zyrtarë të ministrisë kanë pohuar se gjatë periudhës së verës pritet nisja e fluturimeve drejt destinacionave si Romë, Milano, Bolonjë dhe më tej në Londër. Aktualisht sipas burimeve zyrtare qeveria është në fazën për gjetjen edhe avionëve të tjerë që do të vihen në dispozicion të kompanisë Air Albania.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re