Në qytetin e Beratit ka nisur ndërtimi i maternitetit të ri, një investim i qeverisë shqiptare me vlerë 214 milionë lekë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi fillimin e punimeve për ndërtimin e maternitetit të ri, që do t’i shërbejë 220 mijë banorëve të këtij qarku.

“Vijmë në Berat me një premtim të mbajtur të qeverisë, një kërkesë e vazhdueshme e këtij komuniteti, për ndërtimin e maternitetit. Do të jetë një maternitet bashkëkohor brenda korpusit spitalor, me kapacitet 40 shtretër, që pritet të përfundojë brenda 20 muajsh”, – tha Manastirliu.

Projekti i ndërtimit të maternitetit të ri të Beratit parashikon rehabilitimin e godinës një katëshe, ku aktualisht ushtron aktivitetin materniteti, si dhe zgjerimin e tij me ndërtimin e një kati shtesë, duke përfshirë reanimacionin dhe të gjitha shërbimet e gjinekologjisë, obsetrikës dhe neonatologjisë, me aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë.

Gjatë inspektimit të fillimit të punimeve për maternitetin e ri, Manastirliu tha se fokusi i investimeve është transformimi i spitaleve rajonale, për të ofruar shërbim cilësor afër vendbanimit.

Investimi për maternitetin e Beratit vjen pas investimeve për rehabilitimin e Urgjencës moderne, së fundmi me përfundimin e Pediatrisë dhe rehabilitimin e Patologjisë, por edhe investimet e rëndësishme në pajisje mjekësore moderne, që nga ezhe, inkubatorë, defribilatorë, aparatura e endoskopisë, etj. Në spitalin e Beratit janë punësuar gjatë dy muajve të fundit mjekë specialistë në shërbimet kardiologji, pediatri, endokrinologji, nefrologji, kirurgji, anestezi reanimacion, reumatologji, duke plotësuar kështu mungesat me mjekë specialistë në këtë spital, veçanërisht në shërbimin e kardiologjisë, shërbim i cili gjatë vitit 2018 u plotësua me mjekë me bonus.

Manastirliu deklaroi nga Berati se pas ndërtimit të dy materniteteve të reja në Korçë dhe Sarandë, investimet strategjike për rijetësimin e materniteteve do të vijojnë në të gjithë vendin.

LIKE FAQES NE FACEBOOK PER LAJME TE NGJASHME