Me nënshkrimin e marrëveshjes mes shtetit shqiptar dhe investitorit arab Mohamed Alabbar, nis hapja e kantierit për ndërtimin e portit të ri turistik në Durrës.

 

Ndërtimi i portit të marinës dhe jahteve do të zgjasë 20 vite. Ai do të shtrihet në një sipërfaqe, pronë shtetërore prej 800 mijë metër katror dhe me vlerë investimi 2.1 miliardë euro.

 

Projekti do të zhvillohet në dy faza. E para pritet të zgjasë pesë vite dhe e dyta është parashikuar të nisë në 2028-ën. Përveç portit të jahteve, aty do të ndërtohen pallate shumëkatëshe, hotele, mjedise argëtimi dhe të gjelbërta.

 

BELINDA BALLUKU

 

MINISTRE E INFRASTRUKTURES DHE ENERGJISE

 

Ky projekt i pari i këtij lloji edhe për pjesëmarrjen e shtetit si bashkëzhvillues, në një partneritet publik-privat me një skemë të shkelqyer parashikon ngritjen e një kompanie të përbashkët, ku shteti është aksioner në masën 33% ka të gjitha benefitet e një aksioneri në të ardhura dhe fitim. Shteti ka përgjegjësi të ruajë asetet e tij më strategjike, të cilat në Durrës janë kalatat, baseni dhe kanali i portit. Të gjitha këto mbeten pronë-shtet. Siç mbetet edhe 45% e hapësirës se portit aktual.

 

Projektin që do të zbatohet në ndërtimin e portit të ri turistik në Durrës, investitori Mohamed Alabbar e quajti si më të përparuarin e marrë përsipër nga kompania e tij.

 

MOHAMED ALABBAR

 

THEMELUES DHE PRONAR I KOMPANISE “EMAAR”

 

Në Shqipëri, po implementojnë një nga projektet më të mira në botë dhe më pas do të eksportojnë dije. Në Durrës do të jetë një nga teknologjitë më të përparuara. E gjitha është pjesë e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Imagjinoni se si do të shkojë puna për zgjidhjen për heqjen e mbetjeve, pra teknologji shumë e përparuar.

 

Për kryeministrin Edi Rama, ai do të ndikojë në zhvillimin ekonomik me mijëra vende të reja pune.

 

EDI RAMA

 

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Durrës Marina hyn në ekonominë shqiptare si një lokomotivë, që do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm në rritjen e shpejtësisë së zhvillimit ekonomik, por Durrës, Marina hyn edhe si një konkurrent në një treg shumë më të gjerë sesa tregu shqiptar, në tregun ndërkombëtar, një konkurrent, i cili do të ofrojë, jo vetëm shërbime të një cilësie të padiskutueshme,por do të ofrojë punësim cilësor dhe shumë profile pune të mirëpaguara për shumëkënd që nuk do të ketë më asnjë arsye, në rast se realisht do të punojë, që ta shohë  ardhmen jashtë vendit.

 

Ndërtimi i portit të ri turistik të Durrësit është kundërshtuar nga opozita. Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha ka paditur në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për ndërtimin e tij. Sipas saj ajo është një mega-aferë korruptive me qëllim grabitjen e pronës publike nga Edi Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re