Kanë nisur punimet për ndërtimin e të ashtuquajturës autostrada bujqësore, një rrugë e cila përshkon njësitë administrative Gjergjan dhe Shirgjan, të njohura si zonat bujqësore më prodhuese në Elbasan. Kjo rrugë ishte një premtim i Kryeministrit Edi Rama, për fermerët punëtorë të këtyre zonave, por mbi të gjitha për produktet cilësore me të cilat ata konkurojnë në tregjet europiane.

 

Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla, deputeti Arben Kamami dhe Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja inspektuan punimet ndërkohë që kërkuan nga kompania cilësi dhe korrektësi.

 

Balla në fjalën e tij është shprehur se kjo rrugë bën të aksesueshme prodhimet bujqësore të më shumë se 1400 ha, kryesisht sera.

 

“Me përfundimin e festave jemi rikthyer në punët e përditshme dhe për ne e rëndësishme është përfundimi sa më shpejt i kësaj rruge, por me cilësi.  Kujtoj që është një nga rrugët, që ne, me të drejtë, e quajmë unaza bujqësore e Elbasanit, sepse kjo rrugë bën të aksesueshme prodhimet bujqësore të më shumë se 1400 ha, kryesisht sera.  Vetëm gjatë këtij vit bujqësor që fillon, sipas fermerëve, këtu pritet të mbidhen rreth 2 milionë rrënjë lakër Brukseli, e cila sjell të ardhura shumë të mira për këtë zonë.  Ka qenë kërkesë e kahershme e banorëve dhe në maj pritet të përfundojnë punimet në të gjithë aksin prej 7.3 km”.

 

 

Segmenti prej është i gjatë 7.3 km dhe u shërben 18 mijë banorëve të 2 njësive administrative. Kryetari i Bashkisë tha se rruga parashikon të gjitha parametrat për një zonë të banuar, si trotuare, kalim këmbësorësh etj.

 

“Kjo është zona më bujqësore e Elbasanit dhe jam optimist se me mbarimin e rrugës, prodhimi do të dyfishohet.  Kjo rrugë ishte domosdoshmëri për banorët e kësaj zone. Jemi kujdesur të marrim parasysh të gjitha nevojat e komunitetit, trotuaret, vendkalimet e këmbësorëve, hyrjet nëpër banesa, kanali vaditës etj. “

 

Ndërkohë deputeti Arben Kamami vuri në dukje mosbesimin e banorëve të këtyre zonave për këtë rrugë e cila për ta është domosdoshmëri, ndërkohë që shtoi se aksi shkurton edhe distancën me Belshin dhe Gramshin.

“Gjej rastin të falenderoj Kryeministrin për këtë premtim të mbajtur të fushatës së 2017.  Kjo autostradë bujqësore nuk do të lidhë vetëm këto njësi administrative, po shkurton rrugën nga Belshi e deri në Gramsh dhe përfundimisht do t’i shërbejë një zone me 40 mijë banorë, jo vetëm 18 mijë banorë të këtyre fshatrave.”

 

Aksi rrugor i shkatërruar pengonte tregtarët të merrnin prodhimet bujqësore, të cilat më pas janë të destinuara kryesisht për eksport. Zona e Shirgjanit dhe Gjergjanit njihen për prodhime cilësore, fshatrat nuk janë braktisur dhe i gjithë aktiviteti është i fokusuar tek bujqësia.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re