Skip to content

Nis nga Berati regjistrimi për krijimin e “Kadastrës së Ullinjve”

 

Programi qeverisë për zhvillimin e ullirit, synon shtimin e sipërfaqes së përgjithshme me ullinj dhe rritjen e prodhimit të vajit “made in Albania”.

Krahas këtij misioni qeveria për herë të parë po punon në krijimin dhe mbajtjen e një regjistri për ullirin.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nisë procesin e regjistrimit të ullinjve në Shqipëri duke nisur nga Berati, qyteti me potencialet dhe resurset më të mëdha të kultivimit të kësaj kulture.

Kadastra do t’i shërbejë më pas hartimit të politikave për zhvillimin e sektorit të ullirit dhe vajit të ullirit.

Sipërfaqja e ullishtave  aktualisht vlerësohet të jetë rreth 50 mijë hektarë gjithsej. Aktualisht numri i ullinjve gjithsej parashikohet të jetë rreth 9 milion rrënjë dhe numri i linjave bashkëkohore të përpunimit për vaj, mbi 170.

Sistemi i një informacioni digjital për regjistrin e ullirit do të identifikojë gjendjen aktuale të ullishtarisë dhe perspektivën e zhvillimit të saj.

Studimi bëri të mundur digjitalizimin e të gjitha parcelave me ullinj si dhe ato që parashikohen për tu mbjellë në perspektivë. Por, këtij sistemi i mungonte informacioni mbi pronësinë, kultivarët, rendimentin, praktikat agronomike, karakteristikat e  tokës etj

“Një nga problemet e evidentuara e të analizuara gjatë këtyre viteve, është mungesa e të dhënave bazë për gjendjen dhe ndryshimet që ndodhin çdo vit në ullishtari dhe në industrinë e prodhimit të vajit të ullirit.

Kjo gjendje vjen si rezultat i shumë faktorëve, prej të cilëve më kryesori është mungesa e hartave, qoftë dhe manuale, për identifikimin e parcelës” evidentohet në dokumentet e tenderit të shpallur.