Rihapen gradat brenda Policisë së Shtetit. Gjatë ditës së sotme i janë nënshtruar provimit me shkrim 96 efektivë, të cilët konkurojnë për gradën ‘Drejtues’ dhe ‘Drejtues i Parë’. Vetëm gjysma e tyre do të përzgjidhen, të paktën sipas kuotave të parashikuara nga Drejtoria e Përgjithme e Policisë së Shtetit. Ndërkohë në vijim do të jenë qindra efektivë që do të konkurojnë për gradën ‘Komisar’ dhe ‘Kryekomisar’.

Procesi i testimit për marrjen e gradave drejtuese ishte parashikuar të mbyllej në muajin dhjetor të vitit të kaluar, por me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme u shty për në mars. Konkretisht uniformave blu pritet ti shtohen 52 drejtues si dhe 520 kryekomisarë e komisarë.

Të ndarë sipas kategorisë janë12 “Drejtues të Parë”, 40 “Drejtues”, 200 “Kryekomisarë” dhe 320 “Komisarë”.

Mos dhënia e gradave shkaktoi ngërç brenda policisë duke bërë qe drejtues të lartë të jenë po të njëjtat emra, por duke ndryshuar vetëm pozicionin e punës. Hapja e garës do ti japë mundësinë edhe agjentëve, të cilët gjatë viteve të fundit në detyrë kanë shënuar një përformancë në goditjen e krimit, qe përmes gradës të emërohen në pozicione drejtuese.

Konkursi i gradave është përmendur disa herë edhe nga ministri i Brendshëm Taulant Balla I cili ka kërkuar që efektivët të vlerësohen sipas meritokracisë, të promovohen në karrierë, duke patur mundësinë e rritjes në kategori, përgjegjësi si dhe duke u emëruar në pozicione të rëndësishme si shefa komisariatesh, drejtor qarqesh etj.

Këtë të premte testimit i janë nënshtruar disa nga drejtuesit kryesore si Alket Shatro, i cili prej disa vitesh është në krye të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Tiranës, Edvin Ndreu aktualisht shef i komisariatit nr 6, Vilson Bala kreu i forcave Operacionale, Ermal Muça drejtor i Policisë së Vlorës, Ilir Proda drejtor në Elbasan etj. Pas disa ditësh në testim me shkrim do ti nënshtrohen efektivët që konkurrojnë për “Komisar” dhe “Kryekomisar”.

Ky proces gjithashtu vjen në një moment të rëndësishëm të policisë që lidhet me vetëpastrimin. Brenda muajve të fundit, hetimet e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe SPAK kanë çuar në arrestimin apo pezullimin nga detyra të drejtuesve të lartë të policisë, por edhe të rangut zbatues. Ata kanë rezultuar të përfshirë në botën e krimit. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re