Një nga anëtarët e grupit të punës për hartimin e kodit të ri sizmik, gjeologu Skënder Allkja thotë se nevojitet një klasifikim i ri i trojeve në të gjithë vendin. Ky studim do të evidentojë zonat e nxehta të tokës, aty ku nevojitet një vëmendje më e madhe për mënyrën se si do të ndërtohet. Sipas tij janë disa qytete kryesore në Shqipëri që kanë toka të kategorisë S të cilat konsiderohen problematike.

 

Unë si gjeolog kam propozuar aneksin e klasifikimit të trojeve për të pasur një ide më të qartë të të dhënave lidhur me tokën ku ndërtohet. Kjo pasi në zonën Durrësit, Lezhës, Fierit Vlorës, kemi toka të kategorisë S që konsiderohen zona të nxehta ku dhe studimet duhet të jenë më të detajuara. Më saktë e gjithë zona bregdetare ka toka të tilla. Sikundër kemi Korçën, ku popullsia po orientohet drejt ndërtimeve në kënetë, fakt ky që ka nevojë për studim të detajuar. –thotë Allkja

 

Sipas gjeologut, risitë e kodit të ri së bashku dhe hartat e reja sizmike dhe gjeologjike duhet të jenë të detyrueshme për t’u zbatuar, pasi deri më tani kjo është respektuar vetëm nga kompani serioze në treg.

 

Por përveç kodit të ri, duhet të jenë njësitë vendore ato që duhet të garantojnë qytetarët për cilësinë e objekteve që ndërtohen. Bashkitë nuk duhet të mjaftohen vetëm me dhënien e një leje ndërtimi.

 

Kodi i ri sizmik pritet të jetë gati nga ekspertet brenda muaji shkurt, por ata i bëjnë apel qytetarëve që të orientohen drejt kompanive serioze në treg për blerjen e një banese.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re