Udhëheqësit e Grupit të 20-të hapën sot samitin e tyre në Osaka të Japonisë, e që përkon me situata jo të këndshme për shkak të mospajtimeve mes liderëve të grupit.

Kryeministri japonez Shinzo Abe hapi takimin, i cili do të dominohet nga diskutimet e diskutueshme mbi tregtinë, tensionet gjeopolitike dhe ndryshimet klimatike.

Situata u duk miqësore në minutat e hapjes, me buzëqeshje në fytyrat e liderëve që po vinin, ndërsa ata paraqiteshin për fotografitë e përbashkëta tradicionale.

Presidenti i SHBA Donald Trump dhe ai Xi Jinping i Kinës, vendet e të cilëve janë të zhytur në një luftë të dëmshme tregtare, shkëmbyen një shtrëngim duarsh përpara fotografimit.

Dhe ndërsa liderët u drejtuan në sesionin e parë, presidenti francez Emmanuel Macron u përkul për t’i pëshpëritur diçka në vesh Trump, duke mbuluar gojën e ashtu siç bën zakonisht.

Sesioni i parë i takimit është i fokusuar në ekonominë dixhitale, me shqetësimet në lidhje me privatësinë dhe sigurinë në agjendë.

“Digitalizimi ka ndryshuar aspekte të ndryshme të shoqërisë dhe ekonomisë sonë”, tha Abe ndërsa hapi sesionin. “Jam i lumtur që sot po e trajtojmë globalisht ekonominë digjitale”, tha ai.

Samiti është lënë në hije nga lufta tregtare midis dy ekonomive më të mëdha të botës, por ka shpresa se Xi dhe Trump mund të arrijnë armëpushim kur të mbajnë bisedimet private të shtunën, në mbyllje të samitit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re