Ka nisur në Vilnius të Lituanisë samiti dy ditor i NATO-s. Udhëheqësit e vendeve anëtare të organizatës më të madhe ushtarake në botë, do të diskutojnë për sfidat e aleancës dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe parandaluese.

 

Në samit po merr pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

 

Debatin pritet ta dominojë përpjekja e Ukrainës për t’u bërë pjesë e Aleancës. Sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, tha se formulimi përfundimtar i samitit do të ketë një mesazh të qartë në rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit.

 

JENS STOLTENBERG

SEKRETAR I PERGJITHSHEM I NATO

 

“Kam besim se do të marrim një vendim pozitiv të qartë dhe të bashkuar për Ukrainën, si për ta vazhduar mbështetjen, ashtu edhe për ta rritur atë.”

 

Presidenti i SHBA-së, Biden, ra dakord duke mbështetur qëndrimin e kreut të NATO-s për të ardhmen e Ukrainës. Edhe kryeministri britanik, Rishi Sunak, tha se shpresonte se do të kishte përparim të dukshëm drejt anëtarësimit përfundimtar të Ukrainës në NATO. Ndërsa Franca konfirmoi se do të furnizojë Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi.

 

EMMANUEL MACRON

PRESIDENT I FRANCËS

 

“Kam vendosur të rris dërgesat e armëve dhe pajisjeve për t’u mundësuar ukrainasve kapacitetin për të goditur thellë e për të mbrojtur territorin e saj.”

 

Megjithë mesazhet pozitive dhe mbështetjen nga samiti, për Ukrainën duket se nuk do të ketë një ftesë zyrtare për anëtarësim të saj në NATO.

Kjo ka bërë që presidenti Zelenski të reagojë ashpër:

 

“Është e paprecedentë dhe absurde që afati kohor nuk është caktuar as për ftesën dhe as për anëtarësimin e Ukrainës. Duket se nuk ka gatishmëri as për të ftuar Ukrainën në NATO dhe as për ta bërë atë anëtare të Aleancës.”

 

Nga ana tjetër, një hap historik po bën Suedia. Një ditë para samitit, presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, u pajtua të lejojë Suedinë që t’i bashkohet NATO-s, të njëjtën gjë deklaroi sot edhe ministri i Jashtëm i Hungarisë.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re