Skip to content

Nis seanca në Gjykatë Kushtetuese për shkarkimin e Erion Veliajt

Në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohet në seancë publike ankimi i Erion Veliajt për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës. Seanca ka relatore Sonila Bejtjan dhe i pranishëm është edhe kryebashkiaku Veliaj që shfaqet për herë të parë në publik që prej arrestimit më 10 shkurt.

Kryebashkiaku Veliaj mbrohet nga dy avokatët, Ermal Yzeiraj dhe Alban Dokushi. Ndërsa Presidenca përfaqësohet nga Hemion Braho, Ilirjan Rusmajli, Erjola Shia, Kryeministria nga Herald Jonuzaj, Vangelt Duni. E pranishme është edhe avokatja e shtetit Irma Qosja.

Veliaj la qelinë e rreth orës 08:48 dhe mbërriti në Gjykatën Kushtetuese në orën 09:30 i prangosur. Pasi zbriti nga furgoni i Policisë së Burgjeve, i shoqëruar me policë, Veliaj dha edhe një buzëqeshje të lehtë.

Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave e shkarkoi Veliajn me 50 vota pro pas propozimit të Këshillit Bashkiak duke u mbështetur në nenin 62, pika c, të ligjit për qeverisjen vendore, me argumentin se nuk është paraqitur prej 3 muajsh në detyrë. Më 1 tetor, presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme edhe për Tiranën, por edhe këtë e ankimoi në Kushtetuese. Dekreti u pezullua me vendim të ndërmjetëm nga Gjykata deri në shprehjen përfundimtare për shkarkimin e Veliajt.

Veliaj arsyeton se neni 62 i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të përdoret si bazë për shkarkimin e një kryebashkiaku, pasi neni 115 i Kushtetutës përcakton se qeveria mund të marrë një vendim të tillë vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve, dhe vetëm pas një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Ai thotë se mungesa e tij në detyrë ka ardhur për “pamundësi objektive” pasi ndodhet në paraburgim.

Nga ana tjetër, qeveria argumenton se Veliaj nuk ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimi për shkarkim nuk është marrë mbi bazën e nenit 115 të Kushtetutës, por në bazë të ligjit të vetëqeverisjes vendore, dhe duke bërë kështu Gjykatën Administrative si kompetente për shqyrtimin e çështjes.

Në seancë, Veliaj pritet të mbështetet edhe në një raport të Komisionit të Venecias, ku thuhet se shkarkimi i një të zgjedhuri vendor është masë e jashtëzakonshme që duhet përdorur vetëm në raste të rënda, pasi cënon autonominë vendore dhe të drejtat themelore. Raporti thekson gjithashtu se paraburgimi i zgjatur i të zgjedhurve mund të cenojë të drejta të garantuara nga Konventa Evropiane, si liria e shprehjes dhe pjesëmarrja efektive në jetën politike.