Ish kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe tre bashkëpunëtorët e tij në kohën e luftës Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë dalë para Gjykatës Speciale në Hagë, pasi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

 

Thaçi ka pohuar sërish se është i pafajshëm dhe nuk ka lidhje me akuzat që i janë ngritur.

 

“E kuptoj aktakuzën, jam plotësisht i pafajshëm”, tha Thaçi.

 

Në Dhomat e Specializuara ka nisur seanca e parë gjyqësore. Prokurori i Specializuar do të ketë maksimum pesë orë kohë për të mbrojtur rastin

 

Prej nëntorit të vitit 2020, ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, gjenden në paraburgim në Hagë të Holandës.

 

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, me seli në Hagë, janë krijuar pas votimit më 2015 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

 

Ky institucion, që njihet edhe si Gjykata Speciale, heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

 

Në aktakuzën e Prokurorit të Specializuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përmenden 40 lokacione ku dyshohet se u kryen krime.

 

Po ashtu, aty përmenden më shumë se 400 persona që dyshohet se janë ndaluar jashtëligjshëm, 102 të vrarë dhe 20 të zhdukur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re