Nga kjo e hënë ka nisur shpërndarja e shpërblimit të fundvitit për të gjithë pensionistët.

 

Që prej orës 07:00 të mëngjesit, të moshuarit që kishin sot datën e marrjes së pensionit, por edhe ata që nuk e morën dot pensionin në datat 2 dhe 3 sepse ishte fundjavë, bashkë me të kanë tërhequr edhe bonusin prej 5 mijë lekësh.

 

“Po e shpërndajmë bonusin bashkë me këstin mujor të pensionit, ndryshe nga vitet e mëparshme, kur kishim një grafik vetëm për shpërndarjen e bonusit, gjë që shkaktonte radhë. Sot ka pasur pak dyndje në pikat e postës sepse kanë qenë dy ditë pushim dhe po marrin pensionin ata që e kanë datën e marrjes në datë 2, 3 dhe 4. Llogaritë e Postës Shqiptare janë mbushur me para. Problemi është te cash-i që posta bën brenda pikave të veta. Ka të bëjë me një vonesë kohore brenda postës për të lëvizur cash-in”, tha drejtori i Sigurimeve Shoqërore Astrit Hado.

 

 “Nuk ka radhë. Unë jam i kënaqur sepse edhe vitin që vjen më rritet prapë. Rritet ekonomia, rritet edhe pensioni”, tha një pensionist.

 

“Asnjë pengesë. Tani erdha, tani e mora. Marr edhe për gruan, edhe për vete. Por aty tek ai sporteli nuk kishte lekë, do vij më vonë për ta marrë për gruan.”

 

“E mora nëna. Shumë faleminderit që na gëzojnë sa kanë mundësinë. Nuk pati radhë, as probleme. Unë vij e marr vetë, edhe pse po të dua, ma sjellin edhe me postë.”

 

Njësoj duhet të veprojnë edhe pensionistët e tjerë: ata duhet të paraqiten për të tërhequr shpërblimin në datën e përcaktuar për të marrë pensionin.

 

Ata që nuk shkojnë dot në pikat e shpërndarjes gjatë dhjetorit, kanë mundësi për ta marrë bonusin deri në dhjetorin e vitit 2024.

 

Ndërsa ata që kanë zgjedhur shërbimin e postës për të marrë pensionin, bashkë me të në shtëpi do t’i shkojë edhe shpërblimi prej 5 mijë lekësh.

 

Përfitues të shpërblimit të fundvitit janë 704 mijë pensionistë, ndërsa fondi i vënë në dispozicion nga qeveria është 3.5 miliardë lekë./vizionplus.tv

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re