Ka nisur rimbursimi i fishave për matjen e glicemisë për të moshuarit mbi 65 vjeç. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu takoi sot stafin mjekësor dhe moshuarit përfitues nga paketa e fishave të diabetit, gjatë vizitës në Qendrën Shëndetësore Nr.3 në Tiranë.

“U bë realiet ajo që thamë, besoj është një lehtësi për ju të gjithë. E di që ka qenë një kërkesë e kahershme edhe fakti që ato janë të gjitha materiale mjekësore që kushtojnë. Një pensionisti i kursehet një pension mujor në vit”,- tha Ministrja Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri me dije se në vetëm pak ditë janë mbi 12 mijë të moshuar që kanë marrë fishat me rimbursim.

“Për këtë grupmoshë janë mbi 50 mijë qytetarë që përfitojnë fishat e diabetit me rimbursim. Që nga data 27 shkurt dhe deri tani janë mbi 12 mijë të moshuarit të cilët janë paraqitur pranë mjekut të familjes dhe kanë përfituar fishat e diabetit nëpërmjet sistemit të rimbursimit. Jam e bindur që sa më shumë ditë të kalojnë do të plotësohet e gjithë fasha +65 vjeç, pra do të vijnë pranë mjekut të familjes, për të përfituar fishat e rimbursimit falas”,- tha Ministrja Manastirliu.

Drejtoresha e Përgjithshëm e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Albana Çela tha se sistemi ka funksionuar në mënyrë korrekete dhe fishat përfitohen falas në të gjitha farmacitë e rrjetit të hapur me kontratë FSDKSH.

Pacientët me diabet përfitojnë trajtimin e plotë falas, me një financim të barnave me rimbursim në vlerën 2.2 miliard lekë/vit.

Rimbursimi i fishave të diabetit nisi për grupmoshën 0-18 vjeç në 2018. Me pas u zgjerua edhe për të rinjtë deri 25 vjeç. Nga 27 Shkurti 2023 fishat për matjen e glicemisë përfitohen në të gjitha farmacitë e rrjetit të hapur me kontrate me FSDKSH, ku përveç kategorisë 0-25 vjeç, tashmë përfitojnë dhe të moshuarit +65 vjeç.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re