Shqipëria është sërish vendi mikpritës i stërvitjes ndërkombëtare ‘Defender Europe 2023’. Kjo stërvitje ka sjellë në vendin tonë 24 mijë trupa amerikanë dhe të NATO-s, që do të qëndrojnë deri në 23 qershor dhe do të kryejnë një sërë aktivitetesh ushtarake.

Në sheshin “Nënë Tereza” u ekspozuan mjete të ndryshme luftarake, ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo stërvitje është një pikë kulmore për vendin tonë në arenën ndërkombëtare.

 

“Për herë të dytë kjo stërvitje vë në pah edhe përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve tona falë mbështetjes së aleatëve amerikanë dhe vendeve të NATO-s. Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar dhe sot e ulur në tryezën e këshillit të sigurimit krah për krah me SHBA. Jemi në kushtet që një faqe e re e historisë po shkruhet. Ne jemi jo vetëm konsumatorë por edhe kontributorë të posaçëm në këtë aleancë të madhe.

 

Edhe presidenti Bajram Begaj e vlerësoi stërvitjen si një kontribut për paqen në rajon dhe më gjerë.

 

Kanë ndikim edhe në rajonin tonë të brishtë ku aktorë dashakeqës përpiqen të zgjerojnë influencat e tyre. Ndaj rëndësia e kësaj stërvitje është më e prekshme dhe vazhdueshmëria e saj e nevojshme.

 

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, duke cituar fjalët e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, tha se “Defender Europe 2023” e gjen Shqipërinë, NATO-n dhe aleatët më të bashkuar se kurrë më parë.

 

Në dy vite që prej Defender 2021, bota ka ndryshuar, Shqipëria dhe aleatët tanë të NATO-s janë më të bashkuar dhe më të fortë se kurrë. Nuk mund të mos kujtoj fjalët e Skënderbeut, bashkimi bën fuqinë. Që nga Defender 2021, Shqipëria dhe ShBA po bëjnë më shumë se kurrë më parë së bashku. Kemi ngritur dy pranitë e para ushtarake të ShBA në historinë e Shqipërisë.

 

Në Shqipëri, në kuadër të Defender Europe 2023, kanë zbarkuar 7 mijë forca amerikane dhe 17 mijë trupa nga 26 vende aleate dhe partnere.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re