Sot nis viti i ri shkollor dhe mijëra nxënës presin që të ulen në bankat e shkollës. Procesi mësimor i këtij viti do të shoqërohet me shumë rregulla strikte pasi ende jemi në “kthetrat” e Covid-19.

Në këtë ditë të veçantë për nxënësit kjo dhe nga mënyra se si është organizuar, nuk kanë munguar edhe mesazhet e politikanëve. Përmes një postimi në Facebook, Basha ka uruar suksese, ndërsa këshillon fëmijët dhe mësuesit të kujdesen për shëndetin e tyre.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

Të dashur nxënës dhe mësues që sot nisni vitin e ri shkollor, ju uroj nga zemra suksese!
Urime më të mira për mësuesit tanë që këtë vit do të përballen me orare të zgjatura dhe vështirësi më të mëdha se vitet e tjera. Jam i bindur se me përkushtimin për profesionin dhe kujdesin për nxënësit, do t’ia dilni me sukses për të përballuar këtë realitet të ri dhe sfidues.

Një urim i veçantë nga zemra për vogëlushët që sot ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Askush nuk do donte që dita juaj e parë e rrugëtimit drejt dijes të ishte si kjo e sotmja në mes të pandemisë, shoqëruar me masa të veçanta që e bëjnë të vështirë këtë fillim shkolle.

Urime të gjithë gjimnazistëve në këtë vit sfidues! E di se do ta keni të vështirë të ruani distancën, pasi e tillë është edhe energjia e moshës, por ju lus të silleni me vetëdije, se nga sjellja juaj varen jetë njerëzish.

Normaliteti do rikthehet sërish, e ju mund të kapni kohën e humbur me njëri-tjetrin. E vetmja gjë që nuk kthehet është jeta. Pranda lutja ime për të gjithë ju është: respektoni masat, ruani veten dhe njëri-tjetrin.

Ditë më të mira na presin!

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re