Kreu i Autoritetit Rrugorë Shqiptar, Evis Berberi, ka zbardhur disa detaje lidhur me projektin për zgjerimin e autostradës Tiranës- Durrës, gjatë vitit të ardhshëm.  I ftuar në emisioni E-ZONE në Vizion Plus, Berberi pranon se ndërhyrja është e vonuar në këtë segment, për shkak të pamjaftueshmërisë së fondeve. Por me zhvillimet dhe investimet e fundit, zgjerimi i saj është më shumë se i nevojshëm.

 

“Për vitin që vjen ne kemi parashikuar një buxhet prej 2 miliard lekësh, për të nisur ndërhyrje nga kthesa e Kamzës deri tek mbikalimi i Rinasit. Bëhet fjalë për 5.7 kilometrat e para. Projekti ynë është që të zgjerohet me katër korsi. Një do të jetë e dedikuar për qarkullimin e mjeteve dhe një korsi emergjence”, u shpreh kreu i ARRSH-së në emisionin E-ZONE.   

 

Nevoja për të ndërhyrë në këtë segment, vjen pasi në pikun e sezonit turistik në këtë rrugën qarkullojnë deri në 90 mijë mjete në ditë, nga 30 mijë që është bërë parashikimi.

 

“Rruga Tiranë-Durrës mban dhe fluksin e veriut. Por me ndërtimin e korridorit Adriatiko -Jonian, rreth 40 mijë mjete do të kalojnë nga Thumana- Kashar-Lekaj-Rrogozhinë. Por fluksi i qarkullimit pritet të jetë sërish i madh, pasi Gjiri i Lalzit është kthyer në një destinacion të rëndësishëm turistikë. Në Durrës do të ndërtohet marina dhe porti i ri në Porto Romano,ndaj zgjerimi është i domosdoshëm”, sqaroi Berberi në E-ZONE

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re