Ka nisur zyrtarisht në Shqipëri “Defender Europe 25”, një nga stërvitjet ushtarake më të mëdha dhe më komplekse në Evropë dhe Afrikë.
Trupat e Forcës Tokësore shqiptare u nisën në orët e para të mëngjesit të sotëm, nga garnizoni i Zall-Herrit drejt Qendrës së Stërvitjes në Bizë.
Kjo stërvitje ndërkombëtare zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës Evropiane të SHBA (EUCOM), në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s.
Shqipëria, si një nga vendet pritëse kryesore, luan një rol strategjik në garantimin e suksesit të operacioneve dhe zhvillimeve të planifikuara.
“Defender Europe ‘25” synon rritjen e ndërveprimit mes forcave të armatosura aleate, forcimin e gatishmërisë ushtarake dhe aftësive për të reaguar shpejt ndaj çdo kërcënimi të mundshëm në hapësirën euroatlantike.
“Mirëmëngjes nga Zall Herri ku në orët e para të mëngjesit, trupat e Forcës Tokësore janë nisur drejt Qendrës së Stërvitjes në Bizë, për të filluar zyrtarisht Defender Europe 25 – një nga stërvitjet më të mëdha dhe më komplekse të dekadës së fundit në Evropë dhe Afrikë”, shkruan ministri Vengu.