Qendra e Kinostudios do të rikualifikohet, për t’u transformuar në polin e ri urban të Tiranës. Nga një hapësirë që, kryesisht ka shërbyer si parkim makinash, qendra e Kinostudios po kthehet në një shesh me kënde lojërash për fëmijë, mjedise çlodhëse për të rriturit, të rrethuara me gjelbërim.

 

Gjithashtu, do të rehabilitohen edhe fasadat e pallateve përreth, si dhe po punohet për asfaltimin e Rr. “Aleksandër Moisiu”, duke përfshirë lidhjen e saj me Rr. “Xhanfize Keko” dhe hapësirat që krijohen midis trotuareve dhe godinave.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pa nga afër punimet, u shpreh se ky është një tjetër kantier i Tiranës policentrike, pasi në këtë zonë, po zhvendosen edhe disa institucione të rëndësishme publike e private.

 

“Kjo nënkupton krijimin e një poli të ri në qytet, ku si fillim janë zhvendosur disa qendra institucionale, si Ministria e Kulturës apo Ministria e Mbrojtjes, disa institucione private, si Universiteti “Marubi”, “UET”, dhe zhvendosja e disa shërbimeve bashkiake, për ta plotësuar edhe si pol administrativ. Por, një pol administrativ ka nevojë për infrastrukturë. Nëse e mbani mend, mandatin e kaluar punën më të madhe e kishim me rrjetin e ujit, – rrjeti i energjisë ka ende pak punë, ndaj jemi duke bërë sistemimin. Tirana policentrike vjen nga bashkimi i të gjitha këtyre energjive, me institucione publike, institucione jo publike, infrastrukturë e rëndësishme, dhe një shesh kryesor,” u shpreh Veliaj.

Ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve, por edhe të bizneseve të zonës, të cilëve tha ai, do t’u rritet edhe më shumë vlera me këtë projekt rivitalizues.

 

“Kërkoj sa më shumë bashkëpunim nga të gjithë. Parimi nuk është të përzëmë njerëz, as që t’i prishim biznesin dikujt. Për të gjithë ata që kishin ndërtuar si çibanë, duke krijuar hoje në zyrat e institucioneve, sigurisht që do të duhet të gjejmë një zgjidhje alternative. Për të tjerët, është shumë e rëndësishme që të gjejmë bashkëpunim, të tërhiqemi pak nga gardhet, të sigurohemi që kalimi nga Kinostudio, te IKV-ja, e deri te kthesa e Tufinës, apo te Komisariati i Policisë, të mos jetë më një shteg dhish, por një rrugë pedonale për lezet. Shumë prej atyre anomalive me të cilat na ishte mësuar syri, siç kanë qenë mjetet e aksidentuara të policisë anës rrugës, kemi gjetur një zgjidhje të përkohshme, fillimisht duke i çuar në një hapësirë që sot është bosh, por eventualisht do duhet të gjejmë një zgjidhje të përhershme. Ne nuk mund të kemi një varrezë makinash si instalacion të përhershëm në qytet”, tha kryebashkiaku.

 

Veliaj shtoi së muaji gusht, i cili për shumëkënd është muaji i pushimeve, për skuadrat e bashkisë është një periudhë intensive pune, në mënyrë që kur qytetarët të kthehen ta gjejnë lagjen të transformuar.

 

“Meraku im i fundit është këndi i lojërave për fëmijë. Ka qenë një hapësirë komplet e degraduar, këtu paguheshin gjobat e policisë, por sot policia i ka të gjitha gjobat online, kështu që ky mjedis që zihej në mënyrë kaotike nga makinat, ka ardhur koha t’iu kthehet fëmijëve. Besoj se nuk do të ketë asnjë kundërshtim që një hapësirë t’i kthehet atyre. Nëse ia heq njërit dhe ia jep tjetrit, aty plas debati, por nëse ia jep fëmijëve, them që kemi marrë një vendim të jashtëzakonshëm,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re