Ka filluar trajnimi i mësuesve, drejtuesve të shkollës dhe koordinatorëve, në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrjen e Shqipërisë për herë të parë në sondazhin ndërkombëtar TALIS 2024, që është një vlerësim ndërkombëtar për mësimdhënien dhe nxënien (Teaching And Learning Survey).

Trajnimin që po zhvillohet në shkollën “1 Maji” e ka ndjekur sot, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila më pas ka zhvilluar një takim me mësuesit, drejtorët dhe koordinatorët pjesëmarrës në këtë trajnim.

“Shqipëria merr pjesë për herë të parë në një vlerësim ndërkombëtar për mësuesit, “Talis 2024”, një sondazh i realizuar nga OECD, për të matur cilësinë e mësimdhënies. Besoj se ky trajnim ka një rëndësi të veçantë edhe për ju. Duam të masim cilësinë e mësimdhënies në vend dhe ky është një instrument i matjes, që duhet të na drejtojë ne, edhe në marrjen e vendimeve për rishikimin dhe ridizenjimin e programeve aktuale, por edhe për programe të reja”, tha Manastirliu.

Ky sondazh, i cili zhvillohet çdo pesë vjet nga OECD, ka për qëllim mbledhjen e të dhënave të rëndësishme për të ndihmuar vendet në zhvillimin e politikave arsimore dhe në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies.

Trajnimet janë organizuar nga strukturat e ASCAP dhe synojnë përgatitjen e mësuesve dhe drejtuesve të shkollave për të plotësuar instrumentet anketues të sondazhit. Deri më tani, janë trajnuar mbi 3000 mësues dhe drejtues shkollash nga rajone të ndryshme të Shqipërisë, duke përfshirë Tiranën, Korçën, Durrësin, Lezhën, Fierin, Beratin, Shkodrën, Dibrën, Elbasanin, Pukën, Lushnjën dhe Kamzën.

Këto trajnime janë pjesë e fazës së parë, e cila shtrihet në 280 shkolla 9-vjeçare në të gjithë vendin. Faza e parë e sesioneve informuese në të gjithë territorin ka filluar në datën 8 janar dhe do të vijojnë deri në datën 19 janar.Pas kësaj faze të parë do të nisë faza e dytë dhe e tretë e trajnimeve, e cila do të përfshijë zgjedhjen e mësuesve që do të trajnohen më tej për të marrë pjesë në vlerësimin “TALIS 2024″.

Ky proces është sfidues, për të siguruar një sistem arsimor të përparuar dhe cilësor në Shqipëri, i cili fokusohet në rritjen profesionale të mësuesve dhe në përgatitjen e nxënësve për sfidat e së ardhmes. Sipas Ministres së Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, për arritjen e këtij qëllimi janë dhe programet kombëtare që po zhvillohen ndërkohë.

“Paralelisht ne kemi nisur punën për zhvillimin e një Programi Kombëtar, i cili synon zhvillimin profesional të mësuesve. Për ne, mësuesit janë në qendër të gjithë sistemit dhe mbështetja, qoftë për sa i përket motivimit financiar, por mbi të gjitha dhe për zhvillimin profesional, duke rishikuar edhe kornizën e kualifikimeve, gjithashtu dhe mundësinë që mësuesit e rinj në sistem të trajnohen më shpejt për të arritur nivele të larta të mësimdhënies, por edhe për përmirësimin e teknikave të mësimdhënies gjatë gjithë ciklit që ata ofrojnë shërbimet e tyre në sistemin tonë arsimor. Për ne është shumë e rëndësishme që Programi Kombëtar, i cili do të prezantohet brenda muajit janar, të prekë sa më shumë mësues. Do të jenë rreth 4000 mësues këtë vit që ne duam të përfshijmë në këtë sistem trajnimi dhe edukimi në vazhdim. Jemi të fokusuar te mësuesit e matematikës, shkencave, gjithashtu të gjuhës shqipe dhe të teknologjisë dhe informacionit, për të rritur edhe aftësitë digjitale dhe mundësinë për të adaptuar dhe modernizuar kornizën kurrikulare, që është një tjetër objektiv madhor i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe gjithë institucioneve të saj”, tha Ministrja Manastirliu.

Në fund të takimit mësuesit shprehën rëndësinë e këtyre trajnimeve dhe angazhimin e tyre maksimal për t’u bërë pjesë e vlerësimit ndërkombëtar “Talis 2024”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re