Kreu i Komunitetit Musliman Shqiptar, Bujar Spahiu, përcolli urimin kortezial për nisjen e Muajit të Ramazanit në bashkësinë e besimit islam, duke e ndërlidhur ardhjen e këtij muaji të veçantë pë lidhjen e njeriut me Krijuesin në kontekst të një zhvillimi global të ankthshëm siç është lufta në Ukrainë, e cila po konsiderohet dhe si e Treta Botërore.

Mjaft që kjo luftë ka trazuar jetën e globit ekonomikisht, duke tentuar ta përfshijë dhe ushtarakisht.

“Në këto kohë të trazuara që po kalon bota, lutemi për më shumë paqe e solidaritet midis njëri-tjetrit dhe midis popujve e kombeve”, thuhet në fjalën e kreut të muslimanëve shqiptarë.

Ndër të tjera, ai veçon ata që do agjërojnë për herë të parë, duke u thënë se ky Ramazan do jua ndryshojë jetën për mirë.

Mesazhi i plotë:

“Të dashur besimtarë myslimanë dhe gjithë ju bashkëkombas brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Konferencë ndërfetare edhe me Yuri Kim, liderët e komuniteteve fetare apel politikës: Investoni në arsim! Të studiohet marrëveshja vëllazërore e Papës dhe Imamit të Madh

Më lejoni që në emrin tim dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, t’ju përcjell urimet më të përzemërta me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit.

Nesër, myslimanët në Shqipëri dhe mbarë botën nisin një rrugëtim të lartësimit shpirtëror, moral, pse jo edhe shëndetësor.

Ramazani është muaj në të cilin mëshira, paqja dhe begatia e Zotit përfshin çdokënd.Ramazani është muaji i zbritjes së librit, Kuranit të Shenjtë.

Libër i cili është fjala e Zotit që erdhi te ne nëpërmjet Profetit Muhamed (a.s.), është udhëzuesi ynë shpirtëror dhe social.

Të dashur besimtarë!

Agjërimi nënkupton vetëpërmbajtjen e besimtarëve nga një sërë kënaqësish të kësaj bote, siç janë ushqimet, pijet etj, por Ramazani është edhe vetëpërmbajtje e lartë dhe largim nga çdo ves apo vepër e papërshtatshme.

Ky muaj është afrim i njeriut me Krijuesin dhe përjetim shpirtëror i pa krahasueshëm për këdo.

Ky muaj është paqe, solidaritet, mirësjellje.

Në këto kohë të trazuara që po kalon bota, lutemi për më shumë paqe e solidaritet midis njëri-tjetrit dhe midis popujve e kombeve.

Lutemi për më shumë kujdes e vëmendje ndaj nevojtarëve, jetimëve, të moshuarve e fëmijëve.

Rrugëtimi ynë i përbashkët kërkon motivacion të lartë, për t’i tejkaluar sfidat, për një të ardhme më të mirë të vendit.

Së fundi, doja të uroja e inkurajoja përzemërsisht agjëruesit për herë të parë.

Niseni agjërimin, është një adhurim që do t’ju ndryshojë jetën dhe këndvështrimin për të!

I lutem Zotit të gjithësisë të na pranojë lutjet, adhurimet dhe çdo vepër të mirë në këtë muaj të bekuar.

Gëzuar muajin e Ramazanit!”. /tesheshi.com/

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re