Një shqiptare e Kosovës, që jeton në Belgjikë, mbërriti kësaj here në liqenin e Komanit, jo për të shijuar bukuritë që i k falur natyra Shqipërisë, por me një qëllim.

Në prag të sezonit veror, Adelina Hajzeraj, së bashku me 200 të rinj e të reja nga Kosova e Shqipëria, u mblodhën të gjithë së bashku për një aksion vullnetar pastrimi.

Pikërisht këtu, ku bukuria bashkohet me të shëmtuarën e plehrave e mbeturinave. Adelina vetë u shpreh për një intervistë në Top Channel se vjen shpesh në Koman pasi ky vend të fal bukuri e qetësi, por grumbulli i plehrave e ndalon atë, që t’i njohë e t’u sugjerojë njerëzve në Belgjikë Komanin.

“Nuk ka qenë e pastër dhe thjesht nuk kam mundësi që t’i sugjeroj kolegëve të mi jashtë shtetit me gjithë këto mbeturina që gjenden në Koman”-tha Adelina.

Dhjetëra të rinj i janë bashkuar kësaj iniciative, nga Shqipëria deri në Kosovë, për të hequr nga aty grumbujt e plehrave. Madje në liqen gjen dhe televizorë të vjetër.

“Ky është televizor. Frigoriferin e kemi këtu e tash na mungon vetëm lavatriçja për të kompletuar.”-tha një qytetar që iu bashkua nismës.

“Jemi prej një klubi alpin dhe jemi bërë pjesë e kësaj nisme sepse e respektojmë dhe e duam këtë vend e këtu çështja e mbeturinave është bërë problem serioz”-tha një qytetar nga Prishtina.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re