Kalimi në Kuvend i ndryshimeve të njëanshme në Kodin Zgjedhor, që nuk mundësojnë hapjen reale të listave, duket se ka sjellë dhe divorcin e parë në skenën politike shqiptare. Bëhet fjalë për distancimin që ka bërë Nisma Thurje, nga deputetja Rudina Hajdari, e cila nuk ka mundur që të bëjë dot asgjë për të penguar mazhorancën për të kaluar me më shumë se 90 vota ndryshimet në Kod.
Lajmin e ka bërë të ditur, një nga themeluesit e Nismës Thurje, Pano Soko, i cili i pyetur nga Faxweb.al ka konfirmuar zërat e ndarjes së rrugëve me Hajdarin.
Soko shprehet se bashkëpunimi mes palëve kishte si qëllim pikërisht hapjen e listave, gjë të cilën deputetja Hajdari nuk mundi ta pengonte në Kuvend, edhe pse dje mbajti një fjalim me tonë të forta dhe çjerrëse.
”Po, ne e kemi pasur të kushtëzuar bashkëpunimin që në fillim nga hapja e listave. Mosrealizimi i kësaj pike na çon në shkeputjen e bashkëpunimit”, është shprehur Soko, duke sqaruar se vetë Hajdarit i është komunikuar ky vendim nga ana e përfaqësuesve të tjerë të nismës.