Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” zhvilloi pasditen e së hënës (28 prill) një takim elektoral në Kamëz, ku u prezantuan edhe kandidatët për Qarkun e Tiranës.
Kandidatët theksuan rëndësinë e përfshirjes së brezit të ri në politikë dhe prezantuan platformat e tyre që synojnë zhvillimin dhe modernizimin e komuniteteve, duke kërkuar votën për numrin 6 në 11 Maj.
Kryetari për Tiranën i koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, Endrit Shabani, tha se shqiptarët s’duhet ta lënë më klasën politike t’i gënjejë sërish.
“Gjatë takimeve në Kamëz pashë entuziasmin dhe qytetarë që e kanë vrarë frikën, por disa prej tyre ishin edhe të zhgënjyer. Mirëpo në këtë vend kanë qeverisur vetëm Rama dhe Berisha, njëherë njëri e njëherë tjetri. Prandaj ne jemi këtu pranë jush, ndërsa ata janë majë kodrës ku jetojnë me luks. Ndaj kur të vijnë t’ju kërkojnë votën, përgjigja duhet të jetë: JO!. Kur t’ju bjerë dera dhe i shihni te syri magjik për t’ju premtuar legalizimet, mos ua hapni derën. Kur t’i bien telefonit dhe t’ju premtojnë sërish ujë të pijshëm, mos ia hapni telefonin. Kur t’ju dalin në ekran dhe t’ju premtojnë rrugë, hapni dritaren dhe shihni se në çfarë gjendje është qyteti dhe më pas fikeni televizorin” – tha Endri Shabani para banorëve të Kamzës.
Për Panajot Sokon, nënkryetar i koalicionit ‘Nisma Shqipëria bëhet”, trajtimi i mësuesve dhe mjekëve është iniveli që njohim sepse ata që na qeverisin jetojnë në vila dhe udhëtojnë me çarter.
“Si arritëm deri këtu ku një mësues, një mjek apo një pensionist nuk mund të mbijetojë me aq sa merr? Patjetër që ata e dinë të vërtetën, por i duan shqiptarët të jenë të varur që kur të vijë dita e zgjedhjeve, ata t’i marrin votën për një legalizim, për një shërbim. Përballë këtyre janë të rinjtë, njerëz të shkolluar dhe të ndershëm që duan t’I japin fund këtij sistemi që me dashje kërkon që shqiptarët t’i mbajë të prapambetur” – tha Soko.
Ndërkohë Adriatik Lapaj, kryetar i koalicionit të të rinjve “Nisma Shqipëria Bëhet” tha se partitë e vjetra i qarkullojnë kandidatët qark më qark për të gënjyer shqiptarët.
“11 Maji s’është ditë zgjedhjesh, por referendum. Sepse po të ishin zgjedhje, do të flisnim për ide. Ne flasim për ide, ata flasin për bufa, për ufo, për kënetë, për minj dhe mace. Kjo duhet të marrë fund falë bashkimit të madh që ne po bëjmë. Ata kanë marrë peng sistemin përmes listave të mbyllura dhe përballë jemi ne që duam ta shembin këtë sistem duke hapur garën”, tha Lapaj.