Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka hapur dritën jeshile nismës për një ligj për referendumet, që aktualisht mungon. Grupit të nismëtarëve i është miratuar fleta tip ku do të duhet të hedhin firmë mbi 20 mijë qytetarë, që shprehen pro pasjes së një ligji që do të bëjë të mundur që çështje të caktuara, kombëtare apo lokale, të hidhen në referendum, ç’ka tani është e ndalur.

“Në këtë moment qytetarët shqiptarë janë të një draft ligji i cili do të hyjë në procedurat e zakonshme parlamentare. Ne i kemi kërkuar KQZ që në fletën që ai miratoi për ne, të mbajë parasysh faktin që brenda një periudhe 3-mujore, pra deri më 29 shtator ne ti kemi grumbulluar këto firma”, ka thënë Kristaq Kume, një nga nismëtarët.

Në Shqipëri janë zhvilluar pak referendume të suksesshme, në vitet e para të demokracisë. Ndaj e nevojshme është që ligji të jetë efektiv përball kërkesave të Kushtetutës, thotë  Kristaq Kume, që është një ndër anëtarët e grupit të nismëtarëve.

“Qëllimi ynë është që të kemi një ligj i cili do të jetë efektiv përballë kërkesave të Kushtetutës dhe në plotësimin sa më të mirë të mundshëm të kërkesave të demokracisë së drejpërdrejtë, e cila tek ne është pothuajse inekzistente në funksionimin e saj”, është shprehur ndër të tjera Kume.

Domosdoshmërinë e të pasurit një ligj që rregullon çështjen e referendumeve, e thekson edhe Erida Skëndaj, Drejtoreshe Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

“Ai ligj është shumë i nevojshëm dhe thelbësor, por nga ana tjetër që është nuk duhet të hartohet në kushtet e urgjencës. Nëse vërtetë deri tani ne kemi qenë të vonuar në harimin e një ligji të tillë, nuk duhet të shkojmë në efektin e fundit. Sepse të gjitha procedurat duhet të sinkronizohen”, tha Skëndaj.

Referendumi është një mjet nën duart e qytetarëve për tu shprehur për çështje të caktuara por aktualisht këtë të drejtë e kanë vetëm përmes të zgjedhurve në Parlament.

“Pothuajse shumica e qytetarëve shikojnë dhe presin që të jetë qeveria apo parlamenti që duhet të miratojë politika të caktuara. Ndërkohë që roli i qytetarit është zbehur dhe kjo formë e ushtrimit të demokracisë kërkon ndërgjegjësim më të madh”, ka theksuar ajo.

Jo pak herë shoqëria civile ka ndërrmarë nisma për të pasur një ligj të posaçëm për referendumet por nuk ia kanë dalë të finalizohen, për shkak të mosaprovimit nga politika.

“30 vite të demokracisë janë tepër të vonuara për klasën tonë politike të tregojnëmungesën e vullnetit të qartë për hartimin e një nisme të tillë”, tha ndër të tjera Skëndaj.

Në total në vendin tonë në 30 vjet demokraci, janë ndërmarrë 7 nisma për referendum dhe vetëm 3 kanë qenë të sukseshme. I pari ëhstë zhvilluar në 1994 dhe i fundit 1998 për Kushtetutën.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re