Nivelet e ujit kanë implikime për lundrimin, bujqësinë dhe ekosistemet

Nivelet anormalisht të ulëta të ujit në Danub në Hungari po shkaktojnë probleme për transportin detar, bujqësinë dhe ekosistemet lokale përgjatë lumit të dytë më të gjatë të Evropës, një rrugë kryesore transporti për të gjithë kontinentin. Temperaturat janë rritur në 35 gradë Celsius në Budapest këtë javë, pasi pjesa më e madhe e Evropës është përfshirë nga një valë e vapës e vazhdueshme e lidhur me vdekjen e të paktën tetë personave.

Për shkak të niveleve të ulëta të ujit, anijet e mallrave detyrohen të mbajnë më pak se gjysmën e ngarkesës së tyre dhe mund të operojnë vetëm me 30-40% të kapacitetit të tyre, tha Attila Bencsik, nënkryetar i Shoqatës Hungareze të Transportit Detar.

Tarifat e mallrave mund të rriten deri në 100%, pasi një shtesë aplikohet kur një anije nuk mund të lundrojë me ngarkesë të plotë, shtoi ai.

Nivele të ngjashme uji janë regjistruar në Danub më parë, por kjo zakonisht ndodh në gusht, tha Attila Segy, zëvendës zëdhënës i Drejtorisë së Përgjithshme Hungareze të Menaxhimit të Ujit.

Ai tha se shiu pritej në pellgun e Danubit javën e ardhshme, gjë që duhet të çojë në një rritje të lehtë të niveleve të ujit dhe të përmirësojë kushtet e lundrimit.

Instituti shtetëror meteorologjik i Hungarisë, HungaroMet, tha se reshjet e qershorit ishin vetëm 17 përqind e mesatares së muajit, duke e bërë atë qershorin më të thatë që nga viti 1901.

“Qershori është një nga muajt më të lagësht të vitit në klimën tonë, dhe tani kemi këtë nivel të ulët uji”, tha György Matavovsky, ndërsa ndaloi kajakun e tij në një breg ranor në Sob, një qytet në veri të Budapestit. “Ka bukurinë e vet sepse uji është i pastër, është e lehtë të lundrosh me vozë… por është shqetësuese”.

Vistula ka arritur gjithashtu një nivel rekord të ulët në Varshavë, dhe Rajni në Gjermani është gjithashtu jashtëzakonisht i ulët.

Michal Sikora, një meteorolog dhe hidrolog në IMGW në Poloni, tha se Vistula arriti një nivel rekord të ulët prej 19 centimetrash sot, duke shtuar se pritet të bjerë më tej në ditët në vijim, ndoshta nën 15 centimetra.

Përshtati në Shqip S

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re