Autoritetet amerikane kanë akuzuar ish-pilotin e marinës Daniel Duggan se u ka dhënë në mënyrë të paligjshme pilotëve kinezë “trajnim ushtarak” dhe se ka marrë më shumë se 100 mijë dollarë për t’i mësuar se si të ulen në aeroplanmbajtëse.

Aktakuza e ngritur në Distriktin e Kolumbisë në SHBA, thotë se australiani i natyralizuar ka marrë 12 pagesa prej 9900 dollarë ose 9500 dollarë dhe në faturat thuhej se ishte për “trajnim për zhvillim personal”.

Pretendohet se pagesat janë bërë nga një kompani e paidentifikuar me bazë në Kinë, e cila, sipas qeverisë amerikane, “prokuron pajisje ushtarake dhe të dhëna teknike për qeverinë dhe ushtrinë e Republikës Popullore të Kinës”, raporton Guardian.

Arrestohet në Australi

Sipas aktakuzës, piloti veteran luftarak “ka kryer trajnime ushtarake për pilotët e PRC” përmes një shkolle fluturimi të Afrikës së Jugut në tre raste në 2010 dhe 2012 ndërsa ishte ende shtetas i SHBA-së.

Duggan akuzohet gjithashtu se ka trajnuar pilotët kinezë se si të ulen në aeroplanmbajtëse, ka vlerësuar pilotët e trajnuar ushtarakë kinezë dhe ka ofruar shërbime aviacioni në Kinë, të gjitha pa miratimin e nevojshëm nga Departamenti i Shtetit i SHBA.

Ish-piloti amerikan, tani shtetas australian, u arrestua në shtëpinë e tij në Uellsin e Ri Jugor në tetor dhe u akuzua, ndër të tjera, për trajnimin e pilotëve kinezë për të shkelur embargon e armëve të SHBA-së.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re