Trazirat e dhunshme në Kazakistan, të cilat filluan me protesta paqësore kundër rritjes së çmimeve të energjisë, morën 225 jetë, thanë autoritetet, një rritje dramatike në krahasim me bilancet e mëparshme zyrtare.

“Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, trupat e 225 personave u dërguan në morg, nga të cilët 19 janë pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë”, tha në një konferencë për shtyp Serik Shalabayev, i cili drejton një hetim penal në zyrën e prokurorisë.

Pjesa tjetër janë trupa të “grabitësve të armatosur që morën pjesë në sulme terroriste”, tha ai.

Kazakistani ka raportuar më parë më pak se 50 të vdekur – 26 protestues dhe 18 anëtarë të forcave të sigurisë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, Asel Artakshinova, tha se më shumë se 2600 persona janë shtruar në spital, prej të cilëve 67 janë në gjendje të rëndë.

Autoritetet kazake kanë fajësuar “bandat dhe terroristët ndërkombëtarë” për dhunën, duke thënë se ata vodhën protestat.

Forca paqeruajtëse e dërguar nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), e cila ndërhyri, filloi të tërhiqej gradualisht nga e enjtja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re