Kombet e Bashkuara thanë se gjuha e urrejtjes ishte në rritje në mbarë botën dhe Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut mbajti një seancë urgjente në Gjenevë të martën mbi incidentet e fundit të djegies së Kur’anit.

Duke hapur debatin, kreu i organit më të lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk, tha se incidentet kishin për qëllim të provokonin zemërim dhe të përçanin shoqërinë.

Një kopje e Kur’anit u dogj para xhamisë kryesore në Stokholm më 28 qershor dhe ky akt shkaktoi një reagim të fortë diplomatik nga bota myslimane, transmeton AFP.

Pakistani dhe vende të tjera bënë thirrje për një diskutim për shkak të shpërthimeve alarmante të urrejtjes fetare në publik dhe ridjegjes së kopjeve të Kur’anit në disa vende evropiane dhe të tjera.

Pakistani dhe anëtarët e tjerë të Organizatës së Konferencës Islamike (IOC) shpresojnë që një rezolutë e OKB-së për këtë çështje do të votohet të martën ose më vonë këtë javë.

“Reflektim i mungesës së respektit të plotë”

Turk beson se, pavarësisht nga ligji apo bindjet personale, “njerëzit duhet t’i trajtojnë të tjerët me respekt”.

“Deklaratat dhe veprimet ndezëse kundër myslimanëve – islamofobia, antisemitizmi dhe fjalimet dhe veprimet e drejtuara kundër të krishterëve ose grupeve minoritare, si Bahá’ít ose Yazidët, janë një pasqyrim i mungesës së respektit të plotë. Është fyese, e papërgjegjshme dhe e gabuar”, tha Turk.

Gjuha e urrejtjes, shtoi ai, duhet të luftohet me dialog, edukim, ndërgjegjësim dhe ndërveprim ndërfetar.

Salwan Momika, 37 vjeç, i cili iku nga Iraku në Suedi disa vite më parë, shkeli një kopje të Kur’anit në Stokholm dhe i vuri flakën disa faqeve.

Qeveria në Stokholm e dënoi atë, por gjithashtu vuri në dukje se në Suedi “e drejta për tubim, shprehje dhe protestë mbrohet me Kushtetutë”. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re