Ish-oficeri i policisë Derek Chauvin u dënua me 22 vjet e gjysmë burg për vrasjen e George Floyd në rrugët e Minneapolis.

Prokurorët kërkuan një dënim me 30 vjet burg, i cili është dyfishi i dënimit të parashikuar nga udhëzimet për autorët e krimit të parë.

Kujtojmë, George Floyd ndërroi jetë në maj të vitit 2020 nga efektet e mbytjes pasi Chauvin mbajti gjurin në qafë për më shumë se nëntë minuta gjatë arrestimit. Floyd u arrestua sepse u përpoq të blinte cigare me një faturë të falsifikuar prej 20 dollarësh.

Një nga kalimtarët filmoi Floyd-in të shtrirë në tokë duke lypur mëshirë, para se të vdiste, dhe ajo video provokoi një ortek reagimesh nga njerëzit në të gjithë botën. Fytyra e Floyd është bërë një simbol i protestave më të mëdha kundër racizmit në SHBA në dekada.

Kryepatologu e karakterizoi vdekjen e Floyd si një vrasje nga policia. Prokuroria, gjatë dy javëve të paraqitjes së argumenteve të saj, pretendoi se Chauvin përdori forcë të tepruar, dhe për këtë arsye të paligjshme, duke u gjunjëzuar në qafën e Floyd dhe duke i mohuar atij marrjen frymë.

Gjatë javës së paraqitjes së argumenteve të tyre, avokatët e mbrojtjes thanë se ai bëri atë për të cilën ishte trajnuar gjatë 19 viteve të punës së tij në policinë e Minneapolis. Chauvin u pushua nga puna një ditë pas vdekjes së Floyd.

Pas shpalljes së vendimit, Bridgett Floyd, motra e George Floyd, themeluesit të George Floyd Memorial Foundation, komentoi për CNN mbi vendimin kundër oficerit të policisë që vrau vëllain e saj.

“Dënimi i dhënë për oficerin e policisë që vrau vëllain tim sot tregoi se brutaliteti i policisë më në fund po merret seriozisht,” tha Floyd për CNN.

Por ajo shton se ka ende një rrugë të gjatë për të arritur drejtësinë përfundimtare.

“Ne kemi një rrugë të gjatë për të bërë dhe shumë duhet të ndryshojmë për t’i bërë njerëzit me lëkurë të errët të ndjehen të trajtuar në mënyrë të drejtë dhe njerëzore nga oficerët e policisë në këtë vend,” tha Bridgett Floyd.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re