Një ditë pas dorëheqjes, ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka kujtuar fitoren e parë të selisë blu më 22 Mars 1992, vetëm 14 muaj pasi ishte themeluar. Basha u ka uruar qytetarëve ditën e parë të demokracisë.

Basha shkruan se demokratët ndodhen përpara betejës për një “Parti Demokratike të së ardhmes, të bashkuar mbi vlerat me të cilat kemi lindur, si shpresa e vetme e shqiptarëve për një të ardhme më të mirë”.

“30 vjet më parë shqiptarët zgjodhën Partinë Demokratike, zgjodhën të ardhmen dhe fituan lirinë dhe demokracinë, duke përmbysur një herë e përgjithmonë diktaturën komuniste. Rrugëtimi ynë ka qenë i gjatë dhe i vështirë, me suksese që kanë shënuar për mirë jetën e shqiptarëve, dhe dështime që na kanë ndarë nga ajo shumicë dërrmuese shqiptarësh që në 1992-shin i dhanë jetë ëndrrës për një Shqipëri europiane.

Në dekadën e tretë të asaj fitoreje historike, demokratët ndodhen përpara betejës për një Parti Demokratike të së ardhmes, të bashkuar mbi vlerat me të cilat kemi lindur, si shpresa e vetme e shqiptarëve për një të ardhme më të mirë. Ata sot meritojnë dhe do të kenë një Parti Demokratike të fortë, parimore, në krah të njerëzve dhe të aleatëve strategjikë, e gatshme per t’u përballur dhe për të fituar mbi të keqen që i ka zënë frymën vendit. Gëzuar ditën e parë të demokracisë”, shkruan Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re