Po punonte për montimin e një paneli diellor në shtëpinë e një të afërmi, kur era e fortë ia mori balancën duke e hedhur nga një lartësi prej afro 3 metrash. Pësoi një sërë lëndimesh, frakturash e shembjes në të gjithë trupin.

Majkëll Vrapi u gjet pa ndjenja në tokë pas rënies nga soleta në fshatin Tapi (Kuçovë). I riu u transportua në spital, por fatkeqësisht nuk mundi t’i mbijetojë lëndimeve të marra.

Banorët atje treguan për median se 26 vjeçari ishte djalë i vetëm dhe një njeri i respektuar e punëtor.

“Djalë i vetëm, një djalë ka ajo nënë, nuk flas dot se jemi shumë të prekur… Kur erdhëm e kishin cuar në spital… ai djalë ishte shumë i mirë. Bënte punë kudo që gjente. I respektuar dhe si familje janë të mrekullueshueshëm. Nëna o zot ta mendosh sesa e rëndë është për të….  “.-tregoi një banore.

“Çuni më i mirë, më i urtë! Punonte e shikonte hallin e tij, punonte në Greqi e vinte edhe këtu. Kur ishte këtu, çdo punë që gjente e bënte. Unë  nuk isha këtu, por pashë policinë. E kishte marrë era dhe e kishte vërtitur.”-tregoi një tjetër banor i zonës.

Ditën e djeshme u raportuan një sërë aksidentesh për shkak të stuhive të erës, veçanërisht në jug të Shqipërisë. Po në Kuçovë, një 17 vjeçare u lëndua për shkak të rënies së një depozite uji nga tarraca e një banese. Në Vlorë po ashtu u raportua për njerëz të lënduar, si dhe për rënien e një sërë pemësh në pyllin e Sodës, pikërisht për shkak të erërave të forta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re