Pas rizgjedhjes së Bujar Spahiut në krye të Komunitetit Musliman Shqiptar, posti tjetër më i rëndësisëm në institucionin që udhëheq jetën islame në Shqipëri, ai i Myftiut të Tiranës, që deri diku ka dhe vokacionin e një Kryemyftiu, i është besuar një prej imamëve më të njohur të kryeqytetit, Bilal Teqjas. Drejtues në vite i xhamisë “Xhura” në Porcelan, Bilal Teqja është një ndër figurat kryesore të jetës islame të Tiranës që në fillimet e viteve ‘2000 e deri më sot së bashku me emra si Ahmed Kalaja e Elvis Naçi, të cilët kanë identifikuar emrat e tyre me tre ndër xhamitë kryesore të kryeqytetit.

Në postin e Myftiut të Tiranës, Bilal Teqja, që duhet thënë se gëzon dhe statusin e një “djali Tirane”, zëvëndëson të kontestuarin Laurent Luli, ndaj të cilit pati dhe një protestë të diskutueshme në xhaminë “Dine Hoxha” të Rrugës së Kavajës, duke u trajtuar si gylenist. Pikërisht pas këtij zhvillimi, si dhe pas rimandatimit të Bujar Spahiut si kryetar i KMSH-së, vjen dhe zëvëndësimi i tij me Bilal Teqjan.

Ja ç’thuhet në njoftimin zyrtar të KMSH-së lidhur me këtë emërim të ri:  

“Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu zhvilloi një takim në selinë e institucionit me imamët e Myftinisë Tiranë, ku prezantoi për ta myftiun e ri të Kryeqytetit, z. Bilal Teqja, dhe priti nga ata urimet me rastin e rizgjedhjes së tij për një mandat të dytë në krye të institucionit.

Gjatë takimit, kryetari Spahiu, vlerësoi punën dhe kontributet e deritanishme të z. Lauren Luli në këtë myftini, i cili duke filluar nga dita e sotme do të mbaj postin e nënkryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Më tej, ai prezantoi myftiun e ri, z. Bilal Teqja si një alternativë e cila do t’i jap një impuls të ri zhvillimeve të deritanishme në myftininë e Tiranës.

Në fjalën e tij të rastit, ish-Myftiu Luli, i falenderoi imamët për bashkëpunimin 5-vjeçar dhe u uroi atyre suksese të mëtejshme në shërbim të besimtarëve të Tiranës.

Ndërsa myftiu i ri, z. Bilal Teqja, pasi falenderoi kryetarin Spahiu dhe kryesinë e institucionit që i besuan atij këtë detyrë, theksoi gatishmërinë e tij në përmbushjen e pritshmërive të besimtarëve dhe institucionit në koordinimin e jetës fetare të kryeqytetit.

Imamët e pranishëm mirëpritën emërimin e tij në këtë detyrë si dhe shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe çuar më tej shërbimin fetar”. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re