Paul Pillar, një ish-koordinator i inteligjencës në Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore, tha në një artikull të botuar në The National Interest se dështimi ishte i qartë në rastin e Khalid Shaikh Mohammed, organizatori i dyshuar i sulmeve të 11 shtatorit 2001 dhe katër të akuzuarve për ndihmë në të njëjtat sulme.

Zvarritje e pafundme

Vonesat e pafundme i penguan të pandehurit që të paraqiteshin në gjykatën ushtarake, thotë Pillar. Ai ia atribuoi pjesën më të madhe të vonesës rotacionit të stafit të caktuar në funksionet e prokurorit, avokatit mbrojtës ose gjyqtarit.

Sa më e gjatë të jetë procesi gjyqësor, aq më shumë kohë u duhet njerëzve të sapoemëruar në ato pozita për të lexuar procesverbalet e çështjes dhe për të mësuar zhvillimet e fundit në këtë çështje, shtoi ish-zyrtari amerikan.

Arsyet e tjera për vonesën, tha Pillar, përfshinin pasigurinë në lidhje me mënyrën se si po trajtoheshin provat e torturave të vuajtura nga të burgosurit, dhe së fundmi një pauzë e gjatë për shkak të shpërthimit të pandemisë koronavirus.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 28 vite nga akuzat ndaj këtyre të burgosurve, procedimi për gjykimin e tyre duket se nuk ka përfunduar. Edhe sipas vlerësimeve më optimiste për momentin, gjyqi do të nisë vetëm në mesin e vitit 2024, sipas Pillar.

Sipas tij, zvarritja e vazhdueshme e proceseve gjyqësore nuk i shërben askujt, përfshirë familjet e viktimave të 11 shtatorit dhe qytetarëve amerikanë që thjesht duan të vendoset drejtësia.

Pillar zbulon se një rrugëdalje nga ky ngërç ka dalë në javët e fundit pasi një nga prokurorët, i cili qëndroi në këtë çështje dhe përjetoi një ndryshim në tre administrata të SHBA-së, filloi të fliste me avokatin mbrojtës të Khaled Shaikh Mohammed dhe bashkë-të pandehurit e tij për ta bindur atë, ose të gjithë ata, në pranimin e fajësisë. Në këmbim të pranimit të fajit, të akuzuarit do t’i kursehej dënimi me vdekje. “Më i rrezikshmi nga këta të pandehur (Khaled Shaikh Mohammed) do të përballet me burgim të përjetshëm pa mundësinë e faljes”, tha ai.

Ndoshta do të ketë më shumë vonesa

Megjithatë, ish-zyrtari i inteligjencës amerikane beson se një marrëveshje e tillë nuk është aspak e sigurt, por nëse arrihet, pa dyshim që do të ngjall kundërshtime se asgjë tjetër veç dënimit me vdekje nuk është e mjaftueshme ër një “krim të urryer të kryer”.

Pillar argumenton në artikullin e tij se alternativa më e mundshme për një marrëveshje të tillë në të ardhmen e parashikueshme është vonesa e mëtejshme. Kështu, përparësia më e madhe e një marrëveshjeje në të cilën të pandehurit pranojnë fajësinë është ndalimi i këtyre vonesave, zgjidhja e çështjes dhe vërtetimi zyrtar i fajit.

Ai më tej thotë se në këtë rast nuk është plotësisht e qartë nëse burgimi i përjetshëm duhet të konsiderohet dënim më i butë se vdekja. Ai shton se në qarqet nga vijnë këta të akuzuar, martirizimi ka njëfarë kuptimi. Prandaj mund të jetë befasuese nëse këta të pandehur pajtohen me burgim të përjetshëm.

Artikulli përfundon se Guantanamo ka përfaqësuar gjithmonë terma “të paqarta” në Kongres për zhvillimin e një “lufte kundër terrorit” në vend që të përdorë mënyra “të provuara dhe të afta” për të ndjekur penalisht dhe ndëshkuar “autorët e akteve”.

Sikur Khalid Shaikh Mohammed të ishte gjykuar në gjykatën federale në Distriktin Jugor të New York-ut, vendi i sulmeve të 11 shtatorit, atëherë vendimi në rastin e të akuzuarit do të ishte dhënë shumë vite më parë dhe ai do të ishte ekzekutuar ose burgosur, thotë Paul Pillar.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re