Një lajm jo i mirë ka ardhur nga Uashingtoni për të gjithë ata shqiptarë që kanë vendosur t’ja mbathin nga vendi i tyre dhe të mbajnë frymën në SHBA. Trump sapo i ka dhënë një goditje ëndrrës amerikane që daton shumë herët nga anët tona dhe vijon frenetikisht.
Më konkretisht, qeveria amerikane planifikon të pezullojë lëshimin e vizave për shtetasit nga 75 vende, mes tyre dhe nga Shqipëria. Vendimi pritet të marrë formë përfundimtare javën e ardhshme.
Nga Ballkani, veç Shqipërisë, janë dhe Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja. Serbia jo.
Direktiva e Departamentit të Shtetit i është drejtuar ambasadave amerikane respektive, ku sipas direktivës, ambasadat duhej të refuzonin aplikimet për vizë bazuar në ligjet ekzistuese, ndërsa departamenti shqyrtonte procedurat e tij.
Dhe tre kategori janë potencuar fillimisht: të moshuarit e ata mbipeshë, si ata që kanë përdorur në të kaluarën ndihmë financiare qeveritare ose institucionalizim.
“Departamenti i Shtetit do të përdorë autoritetin e tij të hershëm për të konsideruar emigrantë potencialë të papërshtatshëm që do të bëhen një barrë publike për Shtetet e Bashkuara dhe do të shfrytëzonin bujarinë e popullit amerikan“, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Piggott. “Imigracioni nga këto 75 vende do të ndalet ndërsa Departamenti i Shtetit rivlerëson procedurat e përpunimit të imigracionit për të parandaluar hyrjen e shtetasve të huaj që do të merrnin ndihmë sociale dhe përfitime publike.”
Lista e plotë e vendeve përfshin Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antigua dhe Barbudën, Armeninë, Azerbajxhanin, Bahamas, Bangladeshin, Barbadosin, Bjellorusinë, Belizen, Butanin, Bosnjën, Brazilin, Burmën, Kamboxhian, Kamerunin, Kepin e Gjelbër, Kolumbinë, Bregun e Fildishtë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Dominikën, Egjiptin, Eritrenë, Etiopinë, Fixhin, Gambinë, Gjeorgjinë, Ganën, Grenadën, Guatemalën, Guinenë, Haitin, Iranin, Irakun, Xhamajkën, Jordaninë, Kazakistanin, Kosovën, Kuvajtin, Kirgistanin, Laosin, Libanin, Liberinë, Libinë, Maqedoninë, Moldavinë, Mongolinë, Malin e Zi, Marokun, Nepalin, Nikaraguanë, Nigerinë, Pakistanin, Republikën e Kongos, Rusinë, Ruandën, Shën Kitsin dhe Nevisin, Shën Luçinë, Shën Vincenti dhe Grenadinet, Senegalin, Sierra Leonen, Somalinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Tanzaninë, Tajlandën, Togon, Tunizinë, Ugandën, Uruguain, Uzbekistanin dhe Jemenin. /tesheshi.com/
