Muslimanët në Këln mezi presin të premten e 14 tetorit, kur do të falin namazin e xhumasë me një thirrje ezani për herë të parë në mënyrë fonike

Qyteti i Këlnit, shtëpia e një numri të konsiderueshëm muslimanësh, shpalli vitin e kaluar se, në kushte të caktuara, do të ishte e mundur të thirrej ezani të premteve përmes një altoparlanti për një periudhë prej dy vjetësh, pas së cilës Bashkësia Islame Turke (DITIB) me qendër në Gjermani ka aplikuar që ezani për namazin e xhuma të thirrej me altoparlant në Xhaminë Qendrore në Këln.

Zëvendëskryetari i DITIB, Abdurrahman Atasoy, tha në një deklaratë për AA se mirëpresin lejen për ezanin fonik në Këln.

Ai ka thënë se presin që ezani i parë të dëgjohet tashmë më 14 tetor dhe se puna për të po i vjen fundi.

“Ka ende disa gjëra të vogla që duhen bërë. Këtu nuk po flasim për kornizën kushtetuese, por për matjet(decibelët) që duhet të bëjë administrata e qytetit dhe ezanin e parë do ta studiojmë këtu në 14 tetor”, tha Atasoy, duke shtuar:

“Ne kemi lindur dhe rritur këtu, ne jetojmë këtu, e praktikojmë fenë tonë, kështu që të jesh pjesë e këtij vendi dhe të jesh në gjendje të thërrasësh ezanin, është një tregues i kësaj dhe një shenjë e rëndësishme për ne. Shfrytëzoj rastin të falënderoj kryetaren e Këlnit, Henrietta Reker”, tha Atasoy.

Drejtuesit i xhamisë, Murat Sahinarslan, ka sqaruar se kanë aplikuar për ezanin përmes sistemit të altoparlantëve në xhami në nëntor të vitit 2021 dhe se kanë përgatitur ekspertizën e kërkuar dhe e kanë dorëzuar tek autoritetet komunale.

“Ata tani kanë dhënë komente mbi raportin dhe do të ketë disa rregullime të vogla në ditët në vijim. Pas kësaj do të nënshkruhet kontrata dhe do të fillojmë një projekt dyvjeçar të thirrjes së ezanit me altoparlant”, sqaroi Sahinarslan.

Ai tha se praktika të ngjashme aplikohen edhe në qytete të tjera gjermane.

“Kjo praktikë është e pranishme në xhaminë e Durenit prej 35 vitesh, xhamia e Rendsburgut në veri të Gjermanisë e bën prej vitesh, ndaj nuk jemi të parët. Xhamitë e tjera në Këln nuk kanë aplikuar ende, ne jemi duke punuar në koordinim me xhamitë tona të DITIB për këtë çështje. Jemi duke u konsultuar me ta, kur të fillojmë me ezanin, do të takohemi me shoqatat e tjera të xhamive dhe do t’u japim udhëzime në këtë proces”, tha Sahinarslan. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re