Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e nisjes së stërvitjes ushtarake Defender Europe 2023, është shprehur se një faqe e re e historisë po shkruhet ku Shqipëria është një kontributore në këtë aleancë të madhe.

Kreu i qeverisë theksoi se “jemi të imponuar nga historia që të funksionojmë në unitet të plotë”.

“Kjo stërvitje na rikujton edhe njëherë se pavarësisht gjuhës që flasim, pavarësisht flamurit që përfaqësojmë, jemi të lidhur pazgjidhshmërisht pikërisht me ato vlera dhe parime, të cilat janë të kërcënuara po njësoj për secilin prej nesh. Prandaj, të gjithë së bashku, jemi të imponuar nga historia jonë dhe nga ardhmëria jonë që të funksionojmë në unitet të plotë.

 

Me aeroportin e Kuçovës, i cili së shpejti do jetë në funksionim si një bazë e re Operacionale e NATO-s dhe shpresojmë shumë edhe me portin që do ketë një komponent për të bërë të njëjtën gjë si aeroporti, duke funksionuar si një tjetër bazë operacionale e NATO-s, por këtë herë për forcat detare, ne jemi në kushtet kur mund të themi me plot gojën se një faqe e re e historisë sonë po shkruhet dhe në këtë faqe të re ne jemi, jo vetëm konsumatorë, por edhe kontributorë në këtë aleancë të madhe për të garantuar sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë popujve tanë”, u shpreh Rama.

Fjala e plotë:

Shqipëria ka nderin të presë për herë të dytë stërvitjen më të madhe ushtarake në Europë, Defender Europe 2023 dhe ky është një privilegj i posaçëm për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilat janë pritëse dhe pjesëmarrëse të kësaj stërvitjeje, e cila për herë të dytë vë në pah edhe përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve tona ushtarake, falë edhe mbështetjes së paçmuar të aleatëve tanë amerikanë dhe te aleatëve të tjerë të vendeve të NATO-s.

Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar dhe sot e ulur në tryezën e Këshillit të Sigurimit, krah për krah me Shtetet e Bashkuara si bashkëpenëmbajtëse për çështjen e Ukrainës. Ajo merr një profil dhe një rol që, jo vetëm e ngarkon me përgjegjësi të jashtëzakonshme, por edhe e vë në dukje se çfarë përparimi dhe çfarë pjekurie ka arritur vendi ynë.

Zhvillimi i kësaj stërvitjeje me praninë e trupave shumëkombëshe, nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është njëkohësisht dhe shprehje e unitetit të madh dhe vendosmërisë së palëkundur të të gjithë komunitetit euro-atlantik për të mbrojtur me çdo kusht vlerat dhe parimet mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë shoqëritë tona.

Kjo stërvitje na rikujton edhe njëherë se pavarësisht gjuhës që flasim, pavarësisht flamurit që përfaqësojmë, jemi të lidhur pazgjidhshmërisht pikërisht me ato vlera dhe parime, të cilat janë të kërcënuara po njësoj për secilin prej nesh. Prandaj, të gjithë së bashku, jemi të imponuar nga historia jonë dhe nga ardhmëria jonë që të funksionojmë në unitet të plotë.

Vitin e shkuar erdhi lajmi i mirë nga Komanda e Forcave Operacionale Speciale e Shteteve të Bashkuara që operon në Europë për ngritjen në Shqipëri të Shtabit të Bazës Të Forcave Operacionale Speciale, çka dëshmon edhe njëherë se Shqipëria mbetet, jo vetëm një aleat i fortë dhe i besueshëm i Shteteve të Bashkuara dhe i NATO-s, por në të njëjtën kohë se Shqipëria bëhet hap pas hapi një pikë gjithmonë e më e palëvizshme referimi në kontinentin tonë.

Me aeroportin e Kuçovës, i cili së shpejti do jetë në funksionim si një bazë e re Operacionale e NATO-s dhe shpresojmë shumë edhe me portin që do ketë një komponent për të bërë të njëjtën gjë si aeroporti, duke funksionuar si një tjetër bazë operacionale e NATO-s, por këtë herë për forcat detare, ne jemi në kushtet kur mund të themi me plot gojën se një faqe e re e historisë sonë po shkruhet dhe në këtë faqe të re ne jemi, jo vetëm konsumatorë, por edhe kontributorë në këtë aleancë të madhe për të garantuar sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë popujve tanë.

Me një falënderim të posaçëm për të gjithë ju që jeni angazhuar në këtë stërvitje dhe natyrisht, me një respekt dhe mirënjohje të posaçme për aleatët tanë strategjikë, ju uroj të gjithëve çdo të mirë, mbarësi dhe vetëm sukses në këtë përpjekje të përbashkët për diçka që është shumë më e madhe se ne dhe për diçka pa të cilën ne nuk do ishim ata që kemi kërkuar gjithmonë të jemi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re